Chelsea paguan shtrenjtë shkarkimin e parakohshëm të Contes

Shkarkimi i Antonio Contes një vit para se t’i përfundojë kontrata, u ka kushtuar arkave të klubit të Chelseat plot 26.6 milionë paund, ose rreth 31.2 milionë euro.

Këto janë shifrat e deklaruara në bilancin vjetor të klubit londinez dhe të publikuara sot në mediat angleze, ndërsa që kur në krye të “bluve” është Abramovich, Chelsea ka paguar më shumë se 90 milionë paund për shkarkime të parakohshme trajnerësh.

Antonio Conte transferua te Chelsea në verën e 2016-ës dhe fitoi titullin kampion që në sezonin e parë, por viti i dytë u pasua me një ftohje të marrëdhënieve mes tij dhe manjatit rus Abramovich, që u mbyll me divorc në qershor të 2018-ës.

Tekniku italian hodhi Chelsean në gjyq dhe arriti të fitojë dëmshpërblim, ndërsa aktualisht çështja është apeluar nga londinezët, që gjithsesi kanë pak shanse të rrëzojnë vendimin e gjykatës sportive.