Chelsea – Leicester, derbi për “Champions”

Chelsea e ka mundësinë të martën t’i revanshohet Leicester Cityt për disfatën që ia shkaktoi në finale të Kupës FA, të shtunën e kaluar, ndërkohë Leicesteri mund ta sigurojë për herë të dytë pjesëmarrjen në Ligën e Kampionëve me një fitore në “Stamford Bridge”.

Përballja Chelsea – Leicester do të zhvillohet të martën mbrëma dhe i takon xhiros së parafundit në Premier League. Vlerësohet si derbi për të siguruar një vend në Ligën e Kampionëve për edicionin e ardhshëm. Në rast të fitores, Chelsea do të ngritej një pozitë më lart se Leicesteri, të cilit mund t’i rrezikohej më pas vendi për në “Champions”, nëse Liverpooli e fiton ndeshjen ndaj Burnelyt të mërkurën.

Leicesteri aktualisht është në vendin e tretë me 66 pikë, dy më shumë se Chelsea që mban vendin e katërt, ndërsa Liverpooli është në pozitën e pestë me 63 pikë.

Gara për vendin e tretë dhe katërt në Premier League do të zhvillohet në mes këtyre tri skuadrave. Chelsea është edhe në finale të Ligës së Kampionëve ku përball e ka Manchester Cityn.