Chelsea interesohet për Arnautovicin

Agjenti dhe vëllau i Marko Arnautovic ka thënë se 29 vjeçari është i gatshëm për të bërë hapin e madh në karrierë duke iu bashkuar një skuadre të madhe, me shumë mundësi Chelseat.

Sulmuesi i West Hamit ka shënuar 5 gola në 10 paraqitje këtë sezon në Premier League pavarësisht se londinezët e kanë arritur vetëm 1 fitore në 5 ndeshjet e fundit.

“Nuk është se ai dëshiron të largohet nga West Hami, por ne besojmë se ky është momenti i duhur për të tentuar të fitojë ndonjë trofe, ndoshta edhe Champions Leaguen. Ka shumë skuadra nga Premier League që e ndjekin atë, si Chelsea dhe Evertoni por jo vetëm këto”, zbuloi Daniel Arnautovic.

Ai nuk e përjashtoi as mundësinë e rikthimit në Serie A, ku më herët ishte aktivizuar te Interi derisa shtoi se Marko ka lënë shumë shokë në Milano.

Reprezentuesi i Austrisë po kalon sezonin e dytë te West Hami ndërsa deri më tani ka shënuar 16 gola në 46 ndeshje me “çekanët”.