Chelsea e City kanë dyshime për Superligën, mund të tërhiqen

Chelsea dhe Manchester City duket se kanë dyshime sa i përket pjesëmarrjes në Superligën Evropiane. Mediumet angleze kanë raportuar të martën se të dy këto skuadra po e mendojnë tërheqjen nga ideja e Superligës së Evropës. Chelsea e City ishin në mesin e gjashtë klubeve nga Premier League që u dakorduan për pjesëmarrjen në Superligën e Evropës.

Mësohet se Chelsea e City po shqyrëtojnë mundësinë e tërheqjes nga Superliga pas reagimit negativ të publikut dhe presionit në rritje nga qeveria, liga, UEFA dhe FIFA. Mbetet të shihet nëse Chelsea e City do të reagojnë dhe të tërhiqen përfundimisht nga ideja e pjesëmarrjes në Superligë. Krahas Chelseat e Cityt, pjesëmarrjen në këtë garë e kanë konfirmuar edhe Arsenali, Tottenhami, Manchester Unitedi e Liverpooli prej Anglisë. Juventusi, Interi e Milani nga Italia kurse prej Spanjës janë Real Madridi, Atletico Madridi e Barcelona.