Chelsea do të lejojë largimin e Hazardit pavarësisht se rrezikon të mos përforcohet

Chelsea do të detyrohet ta shesë yllin e ekipit, Eden Hazard këtë verë, pavarësisht se rrezikon të mos kryejë asnjë transferim, për shkak të bllokimit të merkatos nga FIFA, vendim që është apeluar në CAS dhe pritet përgjigje.

Belgu lajmëroi para pak ditësh se e ka vendosur të ardhmen e tij dhe ua ka bërë të ditur drejtuesve, pa sqaruar cili është vendimi, por nuk do shumë mend për të kuptuar që ylli i Chelseat ka kërkuar të largohet, sepse refuzon të rinovojë.

Duke qenë se tashmë hyn në vitin e fundit të kontratës, Hazard do të largohej falas verën e vitit 2020 dhe Chelsea nuk ka ndërmend të rrezikojë.

Reali mund të ofrojë deri në 100 milionë euro, por e di mirë që Chelsea është nën presion të madh, ndaj po pret me qetësi.

Pas finales së Europa League kundër Arsenalit me siguri gjithçka do të lëvizë me shpejtësi, duke bërë që transferimi të mbyllet që në qershor.

Në 12 muajt e fundit Chelsea ka blerë Jorginho për 56 milionë sterlina, Kepa për 74 milionë dhe Pulisic për 57 milionë, ndaj shitja e Hazard do të rregullonte dukshëm bilancin.