Përfaqësuesja e Kosovës do t’i zhvillojë dy ndeshje në kuadër të kampanjës së re në Ligën e Kombeve.

Fillimisht, më 3 shtator, Kosova përballet me Moldavinë në Itali, ndërkaq në Prishtinë, më pas e pret Greqinë në “Fadil Vokrri”.

Bernard Challandes, trajner i Kosovës, në një bisedë në “Sports Show”, ka folur fillimisht për rinovimin e kontratës edhe për dy vite me Kosovën.

“Për mua ka qenë e lehtë ta vazhdoj bashkëpunimin duke parë kushtet dhe rezultatet. E mbaj mend mirë që kam ardhur këtu me një ëndërr të madhe. Nuk e shoh veten në Evropian pa Kosovën”, deklaroi Challandes.

Më tej, Challandes ka folur edhe për rikthimin e Arbër Zenelit në fushën e gjelbër pas një kohe të gjatë, derisa ka dhënë vetëm fjalë të mira për të.

“Zeneli është një futbollist cilësor, mezi pres që ta kem sërish atë në skuadër. E kam parë atë në ndeshjen e sotme të Reimsit dhe mund të them se është një futbollist i shkëlqyer”, tha Challandes.