Trajneri i Kombëtares së Kosovës, Bernard Challandes, ka mbajtur konferencë për media një ditë para miqësores me Danimarkën, ku ka thënë se fitorja ose barazimi do të ishin rezultate të shkëlqyera, në të kundërtën do të merrej mësim.
Challandes foli për rëndësinë që ka ndeshja me Danimarkën, e cila do të shërbejë si test për ndeshjet e tjera.Ndeshjet e forta, sipas tij, shërbejnë si parapërgatitje për ndeshjet e tjera, si ajo me Republikën Çeke, Malin e Zi dhe Anglinë.
Ai përsëriti se është më mirë të luajnë me një ekip më të vështirë në vend sesa jashtë vendit.
Mbrojtësi i Kombëtares, Amir Rrahmani tha se në mbrojtje nuk do të ketë mungesë, pasi kanë gjithmonë zëvendësimin për atë që nuk luan.
Sipas tij, nuk ka ndjenjë më të veçantë për një futbollist sesa të përfaqësojë vendin e tij.
Ndeshja zhvillohet nesër në Prishtinë, duke filluar nga ora 19:00.







