Challandes tregon nëse do të bëhej përzgjedhës i Zvicrës

Trajneri i Kombëtarës së Kosovës, Bernard Challandes, ka qenë mysafir në televizionin RTS në Zvicër, ku ka diskutuar për të ardhmen e tij.

Challandes po udhëheq Kosovën drejt një ëndrre të madhe, ku po kërkon kualifikimin në EURO 2020 përmes Ligës së Kombeve.

68 vjeçari në emisionin e sportit në RTS, është pyetur për mundësinë e rikthimit të tij në Zvicër, për të marrë drejtimin e kombëtares helvetike.

“Natyrisht, kjo do të më interesonte, por tani mendoj se jam mjaft i moshuar. Kur dikush bën punën e trajnerit, drejtimi i kombëtares së vendit është një nder i jashtëzakonshëm”, është përgjigjur Challandes.

“Për momentin jam trajner i Kosovës, dhe dua t’i shkojë deri në fund kontratës, duke shpresuar të shkoj në Kampionatin Evropian”.