Challandes tregon momentin më të hidhur si trajner i Kosovës

Trajneri i Kosovës në futboll, Bernard Challandes ka zbuluar momentin më të hidhur në krye të “dardanëve”.

Strategu zviceran e ka vlerësuar ndeshjen ndaj Çekisë si momentin më të hidhur të tij prej se është trajner i Kosovës për faktin se futbollistët nuk e luajtën lojën e tyre.

“Momenti më i hidhur ka qenë kundër Çekisë sepse nuk gjetëm zgjidhje për lojën tonë jo për rezultatin, por për mënyrën që luajtëm. Në fund nuk isha i lumtur sepse kishim mundësi më të mira. Normalisht se nuk mund të kërkoj vetëm lojë të përkryer. Mungesa e Muriqit ishte e madhe. Besoj se Nuhiu ka bërë punë të mirë, ka punuar për ekipin, por Muriqi deri atëherë ka qenë një lojtar shumë me rëndësi për ne. Nuk kemi lënë shumë gjëra për t’u bërë pishman dhe nëse do të pyeteshim në fillim të kampanjës që do t’i luaj dy ndeshje të fundit për kualifikim, të gjithë do të thoshin se mund të jem i çmendur”, tha Challandes për Epokën e re.

“Në fillim humbëm dy pikë këtu kundër Bullgarisë. Bullgarët kanë ekip të mirë dhe nuk është e lehtë të luash kundër tyre apo Malit të Zi. Nganjëherë frikësohem që kemi krijuar kaq shumë entuziazëm dhe eufori për këtë ekip saqë mund të harrojmë kush jemi”, ka thënë Challandes.