Challandes shmang presionin para ballafaqimit me Republikën e Çekisë

Bernard Challandes është shprehur optimist për formën e skuadrës para ndeshjes me Republikën Çeke.

Selektori i Kosovës, Bernard Challandes është shprehur optimist për formën e skuadrës para ndeshjes me Republikën Çeke në xhiron e parafundit të eliminatoreve për Euro 2020.

“Të jesh apo të mos jesh, mund ta mendoni ju por jo edhe unë. Por, nëse e kujtojmë shortin duhet të jemi të vetëdijshëm se sa e vështirë ka qenë dhe nuk duhet ta vendosim veten nën presion”, deklaroi ai në konferencë për media.

“Shumë njerëz mund të mendojnë se ne duhet të fitojmë tani, nëse nuk fitojmë në Çeki gjithçka është e mbaruar. Unë nuk mendoj kështu dhe nuk e shoh këtë ndeshje në këtë mënyrë, nuk duhet ta ndryshojmë filozofinë tonë, por e kemi obligative të luajmë mirë”, shtoi ai.

“Duhet të zhvillojmë një ndeshje të mrekullueshme dhe nëse luajmë ashtu mbase do të na mjaftojë të arrijmë fitore. Por, kurrë nuk do të flas me ekipin dhe t’u them futbollistëve se duhet të fitoni, duhet të fitoni dhe të krijoj presion të madh mbi ta”, u shpreh Challandes.

Kosova është mysafire e Republikës Çeke para ballafaqimit të fundit të eliminatoreve me Anglinë në stadiumin “Fadil Vokrri”.

loading…