Trajneri, Bernard Challandes thekson se kombëtarja e Kosovës mund të bëhet një kombëtare shumë e mirë në Evropë në pesë vitet e ardhshme.
Challandes thekson se lojtarët që ka Kosova janë shumë të ri dhe pasi që ata të fitojnë eksperiencën do të bëhen një ‘arrë e fortë’ për çdo kundërshtar, shkruan GazetaBlic.
Tekniku zviceran ishte i ftuar në emisionin ‘BlicInterview’ me Astrit Gashin, ku tregoi se rritja e cilësisë së lojtarëve të Kosovës është bërë shumë shpejtë dhe kjo e ka surprizuar atë.
“Mendoj se me këto rezultatet, të gjithë nga bota e futbollit e shohin tani se Kosova nuk është shumë e dobët – tani e shohin se Kosova është një kombëtare e re në botën e futbollit dhe natyrisht se rritja jonë ishte shumë e shpejtë. Tani kjo situatë me këtë skuadër të re – tregon se ne kemi potencial për pesë, gjashtë apo shtatë vitet e ardhshme. Ne mund të punojmë me këta lojtarë dhe mendoj se tani ekipi është i ri në moshë. Ne duhet të marrim eksperiencën, si atë të mirë ashtu edhe atë të keqe. Forma nuk do të jetë gjithmonë shumë e mirë – por do të mundohemi ta mbajmë atë sa më konstante. Lojtarët janë 20, 21, 23 apo 24 vjeçar dhe ky ekip për pesë vjet jam i sigurt që mund të jetë ekip shumë i mirë – jo sikur Gjermania, Anglia, Franca apo Kroacia, por ekip i mirë në Europë dhe nuk do të mbetemi në fund të listës. Ka potencial nga ky ekip i ri për të ardhmen dhe për trajnerin e ardhshëm“, tha Challandes në ‘BlicInterview’ me Astrit Gashin.







