Challandes për Zhegrovën: Ai është shumë i ri, mos e kritikoni

I ri, i talentuar, shumë pasion për futbollin dhe magjik me topin në këmbë – kështu mund të përshkruhet futbollisti i kombëtares së Kosovës, Edon Zhegrova.

19 vjeçari nga Prishtina, i cili aktualisht luan tek klubi zviceran, Basel dhe tek Kombëtarja e Kosovës nuk ka zhvilluar paraqitje shumë të mira me ‘Dardanët’ në dy takimet e fundit ndaj Danimarkës dhe Bullgarisë, me ç’rast edhe ka marrë shumë kritika.

Trajneri i Kombëtares, Bernard Challandes beson se kritikat e bëra për Zhegrovën nuk qëndrojnë, pasi lojtari është mjaft i ri dhe ne duhet të kemi durim që ai të rritet si lojtar.

“Nuk pajtohem me këto kritika. Zhegrova është i ri, ka shumë talent, normalisht ai mund të jap më shumë – por është një situatë jo të mirë, pasi në klub nuk po luan shumë, megjithatë ai për mua ai është një lojtar i së ardhmes. Është e natyrshme të kritikohet, por unë i kam parë ndeshjet e tij, ai nuk ishte ashtu”, ka thënë Challandes për “blic Interviw me Astrit Gashin”.

“Ndaj Bullgarisë, ai ka zhvilluar një paraqitje shumë të mirë. Ne normalisht presim shumë nga Edon Zhegrova dhe ne duhet të kemi durim me të. Ekspertët në fillim kanë folur shumë mirë për të – pas ndeshjeve të para, sa që mendoj se ishte e tepruar”.

“Edhe tani është e tepruar që ai të kritikohet. Unë kam besim në Edonin dhe në të gjithë lojtarët tjerë dhe unë do të luftojë dhe do t’i mbrojë gjithmonë lojtarët. E di se ai mund të luajë më mirë, por ai është i ri i talentuar. As Celina dhe as Rashica nuk ishin në të njëjtin nivel si tani, kështu që duhet të presim“, ka deklaruar Challandes.