Challandes njëri prej kandidatëve për ta zëvendësuar Petkoviqin te Zvicra

Përzgjedhësi i Përfaqësueses së Kosovës në futboll, Bernard Challandes është njëri prej kandidatëve për ta zëvendësuar Vladimir Petkoviqin në krye të Zvicrës, kanë njoftuar të martën mediumet zvicerane.

Petkoviq u largua nga Zvicra javën e shkuar për ta marrë drejtimin e ekipit nga Ligue 1, Bordeauxit dhe federata zvicerane është në kërkim të zëvendësuesit të tij.

Bëhet e ditur se krerët e Federatës Zvicerane po përpiqen që sa më shpejt ta emërojnë trajnerin e ri, duke pasur parasysh se kualifikimet për Kampionatin Botëror do të nisin muajin e ardhshëm.

Petkoviq ka qenë në krye të Zvicrës prej vitit 2014 dhe në “Euro 2020” arriti deri në çerekfinale. Në anën tjetër, Challandes është përzgjedhës i Kosovës prej vitit 2018 kurse së fundi e ka vazhduar kontratën deri në vitin e ardhshëm. Challandes në të shkuarën ka qenë në krye të ekipeve të reja të Zvicrës (U17, U18, U21) dhe bazuar në përvojën e tij, po shihet si personi i duhur për ta zëvendësuar Petkoviqin.