Challandes: Nëse nuk fitojmë ndaj Çekisë, atëherë gjithçka merr fund

Përzgjedhësi i Kosovës, Bernard Challandes ka mbajtur sot konferencën e parë për media para dy ndeshjeve të fundit të kualifikimeve për Euro 2020.

Challandes u shpreh se tanimë nuk është koha që të shtohet presioni te lojtarët. Ai tha se do të konsultohet me lojtarët, por asnjëherë nuk do t’iu flasë për fitore, në mënyrë që të shmanget presioni para takimeve me Çekinë dhe Anglinë.

“Ndoshta shumë njerëz mendojnë tani se ne duhet të fitojmë. Duhet të fitojmë patjetër dhe nëse nuk fitojmë ndeshjen ndaj Republikës Çeke atëherë gjithçka është e mbaruar. Unë nuk mendoj kështu dhe nuk e shoh ndeshjen në atë mënyrë. Nuk mendojmë se duhet ta ndërrojmë filozofinë, nuk është që e kemi obligative, në një formë obligative për ne është që të zhvillojmë një ndeshje të mirë. E rëndësishme është të luajmë dhe të bëjmë një ndeshje të madhe. Dhe nëse luajmë ashtu mbase do të jetë e mjaftueshme për të arritur fitore. Por unë asnjëherë nuk do të flas me skuadrën dhe t’iu them se duhet të fitojmë, t’iu bëj presion të madh, asnjëherë”, tha Challandes.

gjithashtu u shpreh se ndeshja ndaj Çekisë për Kosovën nuk do të jetë ndeshja e jetës. Sipas tij, nëse e fitojnë këtë ndeshje, do të jetë mundësia që për “Dardanët” të zhvillojnë më pas ndeshjen e cilësuar si ndeshje e jetës – kundër Anglisë.

“Një gazetar nga Çekia më ka telefonuar dhe më ka pyetur para disa ditësh që nëse ndeshja ndaj Çekisë është ndeshja e jetës për Kosovën. Absolutisht që jo, për mua nuk është ndeshja e jetës, një ndeshje ku ne duhet të kënaqemi me futbollin, por assesi nuk është ndeshja e jetës edhe pse unë shpresoj që lojtarët do ta bëjnë ndeshjen ndoshta më të mirë në jetën e tyre por në aspektin e presionit nuk duhet ta shohim si të tillë. Ne do të luajmë një ndeshje që do të na mundësojë që ta kemi pastaj ndeshjen e jetës”, u shpreh ai, raporton ksp.

Challandes ka folur edhe për gjendjen momentale të sulmuesit Vedat Muriqi, për të cilin shpreson se do të jetë i gatshëm 100% për ndeshjen ndaj kombëtares çeke.

“Është e qartë që ka pasur një ndikim të madh, transferimi i tij në Fenerbahce. Ka qenë duke luajtur në Rizespor dhe më pas u bë pjesë e një ndër klubeve më të mëdha turke, siç është Fenerbache. Ai e ka dëshmuar me lojën e tij, me golat e tij që është i gatshëm për të qenë pjesë e një klubi të nivelit të Fenerbahces. Tani ai është pak i lënduar, do ta vëzhgojmë më detajisht situatën ditë pas dite. Në takimin që kam pasur dje me të, më ka treguar që ka pak dhimbje, por kohë pas kohe po ndihet më mirë dhe besojmë që deri të enjten do të jetë i gatshëm”, tha Challandes.

Sa i përket lojtarëve tjerë, tekniku zviceran u shpreh se të gjithë janë në gjendje të mirë përveç Paqaradës, ku skuadra e tij ka kërkuar që sot ai të ketë një stërvitje të lehtë, ndërsa me Herolind Shalën, situata është më e komplikuar, edhe pse ai insiston të paraqitet në fushë, lëndimin të cilin e ka pësuar ditë më parë, është duke e munduar ende atë.

Sa i përket periudhës prej kohës kur Challandes u emërua trajner i Kosovës, ai tha se mund ta quajë këtë periudhë si më të kënaqshmen gjatë gjithë karrierës së tij. Ndër tjerash zvicerani shtoi se është nder i madh që të jetë pjesë e kësaj skuadre.

“Nuk do ta përdorja termin sukses, por do të them kënaqësi. Është periudha ndoshta më e kënaqshme prej që jam trajner. Për mua është nder që të punoj këtu, është kënaqësi të punoj me këta futbollistë, është nder që të jem në këtë vend, dhe është një kënaqësi e madhe tërë kjo që ne po e kalojmë së bashku. Në Zvicër në fillim, kanë qenë shumë skeptik me zgjedhjen që kam bërë, kur kam pranuar të bëhem pjesë e Kosovës dhe një ndër pyetjet e zakonshme ka qenë, pse ke vendosur të jesh trajneri i Kosovës. Iu kam thënë që kam provuar ta studioj potencialin e futbollistëve dhe kam vendosur ta pranoj këtë punë. Tash kur shohin se nëpër çfarë kemi kaluar, më thonë se ke bërë zgjedhjen e duhur”, përfundoi Challandes.

Kujtojmë që Kosova sot do ta zhvillojë edhe stërvitjen e parë para këtyre ndeshjeve.

Kosova të enjten me fillim nga ora 20:45, luan si mysafir ndaj Republikës Çeke, ndërsa të dielën e pret Anglinë në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë, ndeshje që fillon nga ora 18:00.

loading…