Trajneri i Përfaqësueses së Kosovës, Bernard Challandes, ka bërë të ditur se mesfushori Bersant Celina do të mungojë në ndeshjet e ardhshme pasi që ka pësuar një lëndim me skuadrën e tij, Swansea City.

“Dardanët” do t’i zhvillojnë dy ndeshje në kuadër të Grupit 3, Ligës D të Ligës së Kombeve, gjatë këtij muaji. Për ndeshjen e parë, Kosova do të udhëtojë në Maltë, pastaj do ta presë në shtëpi Azerbajxhanin.

Këto 180 minuta do të jenë mjaft të rëndësishëm për skuadrën e Kosovës, pasi që nëse Dardanët arrijnë fitore në këto dy ndeshje, atëherë sigurohet ngritja në Ligën C të kësaj gare, si dhe Kosova do të kualifikohet për gjysmëfinales e Ligës së Kombeve.

Challandes ka bërë të ditur se klubi i Celinës, Swansea City, ia ka dërguar raportin mjekësor të mesfushorit, dhe se anglezët e kanë njoftuar Kombëtaren se ai nuk do të jetë në gjendje të luajë në ndeshjet e radhës.

“Celina është lënduar në ndeshjen e së shtunës dhe nuk do të vijë në grumbullim. Kemi marrë raportin mjekësor nga klubi dhe na kanë njoftuar se nuk mund të luaj. Për momentin nuk e kemi menduar se me kënd do ta zëvendësojmë”, ka thënë Challandes.

Celina ka bërë paraqitje mjaft të mirë për klubin e tij në këtë sezon të ri. Ai ka arritur t’i shënojë dy gola dhe t’i bëjë dy asiste në 14 ndeshjet e zhvilluara deri më tani