Challandes: Jemi ekip i guximshëm, do të kërkojmë fitore

Ekipi ndryshon. Lojtarët shkojnë e vijnë. Disa edhe kthehen pas shumë vjetësh si puna e Anel Rashkajt, por ajo që nuk bën të ndryshojë është stili i lojës. Trajneri zviceran i Kosovës kërkon lojë të guximshme, sulm të vazhdueshëm dhe fitore në çdo ndeshje.

Në një intervistë dhënë të mërkurën pas publikimit të listës së lojtarëve për dy ndeshjet e radhës eliminatore për “Euro2020”, kundër Malit të Zi, më 7 qershor në Podgoricë, dhe Bullgarisë, më 10 qershor në Sofje, Challandes ka thënë se stili i lojës nuk bën të ndryshojë pavarësisht emrave të lojtarëve.

Sipas tij, Kosova tashmë karakterizohet për lojë sulmuese dhe këtë duhet ta ruajë. Ai e quan edhe lojë moderne.

“Jemi ekip që rrezikon, i guximshëm dhe që sulmon. Këtë më së miri e vërtetuam në Ligën e Kombeve ku ekipet guximtare arritën të fitojnë. Luajmë dy ndeshje në udhëtim, por për mua është e rëndësishme të luajmë për fitore, edhe pse do të jenë dy teste të vështira”, ka thënë Challandes.

Ai ka folur edhe për lojtarët e rinj që ka ftuar, si Florent Hadërgjonaj, Ylldren Ibrahimaj e Ibrahim Dresheviq, për të rikthyerin pas shumë kohësh Anel Rashkaj, për dy mesfushorët e lënduar, Valon Berisha e Hekuran Kryeziu, si dhe për dy talentët që ka lënë jashtë listës: Lirim Kastratin e Arbenit Xhemailin.

Në listën për dy ndeshjet e radhës ka shumë të rinj. Sa mund të përshtaten shpejt tash që ka nisur cikli?

Challandes: Ne gjithmonë jemi në kërkim të lojtarëve të rinj, dhe ata që i përshtaten projektit tonë dhe e pranojnë ftesën atëherë është normale të ftohen në çdo kohë.