Challandes i qan mungesat: As Franca s’është Francë pa Pogban, Griezmannin dhe Kanten

Trajneri i Kosovës, Bernard Challandes, e ka pranuar se ekipi i tij përballet me mungesa të mëdha në dy ndeshjet e rëndësishme kualifikuese për EURO 2020, por këmbëngul se e ka gjetur zgjidhjen për t’u përballur me Republikën e Çekisë dhe Anglinë

Trajneri zviceran i bëri këto komente para ndeshjes së verdhekaltërve kundër Republikës së Çekisë më 7 shtator në stadiumin Fadil Vokrri në Prishtinë.

Arbër Zeneli, Milot Rashica, Hekuran Kryeziu, Herolind Shala dhe Benjamin Kololli nuk do të jenë në gjendje t’i ndihmojnë Kosovës më 7 shtator kundër Republikës së Çekisë në stadiumin Fadil Vokrri në Prishtinë dhe tri ditë më vonë në Southampton kundër Anglisë.

“Ne i kemi dy ndeshje shumë interesante dhe të rëndësishme kundër kundërshtarëve të fortë. Fatkeqësisht i kemi disa lojtarë të lënduar. Si trajner më duhet ta pranoj këtë situatë. E di që nuk është e lehtë. Nëse Franca luan pa Zidane Kante dhe Pogba, nuk është Franca, njëjtë është edhe për Kosovën. Si trajner mund të qaj, mund të ankohem për lojtarët që mungojnë, por më duhet të gjej zgjidhje”, tha Challandes.

Ndërkohë, listës i janë rikthyer dy futbollistë, Valon Berisha dhe Bernard Berisha.

Risi është edhe Florent Muslija, i cili ftohet për herë të parë, ndërsa Ibrahim Dresheviq po ashtu do të jetë në dispozicion të trajnerit Challandes pasi e kompletoi dokumentacionin.

loading…