Çfarë pritet të ndodhë sot në Hagë me Thaçin, tregon avokati Tomë Gashi

Në Zyrën e Prokurorisë së Specializuar, me seli në Hagë, pritet të vazhdojë sot intervistimi i presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi edhe gjatë ditës së sotme do të paraqitet në Zyrën e Prokurorisë së Specializuar në Hagë, ku do të merret në pyetje nga prokurori, kjo pasi që gjatë ditës së djeshme sipas presidentit janë diskutuar vetëm çështje teknike.

Avokati Tomë Gashi, ka bërë të ditur për lajmi.net, se çështjet teknike dhe procedurale kanë përfunduar dje, ndërkaq sot, do të vazhdojë marrja në pyetje e presidentit nga ana e prokurorit.

Gashi ka bërë të ditur se nuk ekziston terminologjia propozim-aktakuzë, pasi që sipas tij, kjo është aktakuzë e ngritur dhe e pakonfirmuar.

“Unë besoj se dje koha është shpenzuar gjysmë-gjysmë, për shkak se edhe me përkthim dhe për këtë arsye ka zgjatur edhe më tepër se 6 orë. Ndërsa sot vazhdon marrja në pyetje jo intervistimi. Ajo është marrje në pyetje nuk është intervistim. Plus kësaj, nuk ka propozim-aktakuzë. Terminologji ligjore propozim-aktakuzë nuk ka, është aktakuzë e cila ende nuk është konfirmuar”, tha Gashi.

Tutje Gashi ka thënë se akoma nuk dihet se për çfarë do të merret në pyetje sot presidenti Thaçi dhe se po ashtu nuk dihet as kur pritet të fillojë marrja në pyetje gjatë ditës së sotme.

Mirëpo, Gashi tha se, presidenti Thaçi assesi nuk mund të merret në pyetje për tentativën për zhbërjen e Gjykayës Speciale.

“Ajo çka është kryesore është se ne nuk e dimë se për çka po merret në pyetje presidenti Thaçi. A po merret në pyetje në lidhje me aktakuzën e cila është ngritur dhe nuk është konfirmuar apo eventualisht po merret në pyetje për çështje të tjera që prokurori i ka bërë me dije eventualisht për pengimin e drejtësisë kështu quhet. Nëse eventualisht kanë prova që ky (Thaçi) ka mundur të ndikojë në çështje të provave jo në çështje procedurale. Presidenti Thaçi nuk mundet me u marrë në pyetje për tentativën e zhbërjes së Gjykatës Speciale që ka ndodhur para krishtlindjeve, më 22 dhjetor të vitit 2017 sepse ajo ka qenë publike edhe janë grumbulluar 40 nënshkrime të deputetëve ku disa prej tyre as nuk e kanë ditur as çka kanë nënshkruar. Dhe për këtë arsye ajo komunikata që është bërë publike aktakuza, që komunikata u dha më 24 qershor pra aktakuza është ngritur më 24 prill, faktikisht në ditëlindjen e tij. Që i bie ai vetë, presidenti nuk është duke e sqaruar për çfarë po merret në pyetje. A po merret në pyetje në lidhje me pretendimet që prokurori i ka në aktakuzë të dorëzuar më 24 prill të këtij viti apo po merret në pyetje për çështje të tjera. Ndërsa sot vazhdon intervistimi i tij dhe dje ai (Thaçi), nuk e dha as kohën në të cilën do të intervistohet. Kështu që unë besoj që fillimisht apo rastësisht nuk është duke deklaruar gjëra të cilat opinionit të Kosovës por edhe të tjerëve iu interesojnë shumë sepse këtu nuk kemi të bëjmë me Hashim Thaçin, por kemi të bëjmë me presidentin e Kosovës dhe në këtë rast është emri i tij që është ftuar në Gjykatën Speciale, nuk është ftuar në bazë të funksionit që e mban por prapë se prapë janë shumë të interesuar në Kosovë dhe tutje që ta dinë se çfarë po ndodhë në Gjykatën Speciale sepse është një rast i cili sepse faktikisht ne nuk kemi në këtë kohë ndonjë president tjetër që është duke u marrë në pyetje për raste të krimeve të luftës”, ka thënë Gashi për lajmi.net.

Theksojmë se Zyra e Prokurorit të Specializuar, me seli në Hagë, ka njoftuar më 24 qershor se më 24 prill ka paraqitur në Dhomat e Specializuara një aktakuzë për shqyrtim, e cila ngarkon presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi, ish-kryetarin e Kuvendit dhe deputetin aktual të Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, dhe persona “të tjerë” me krime kundër njerëzimit dhe krime lufte, përfshirë vrasje, zhdukje me forcë, persekutim dhe torturë.

Në aktakuzë thuhet se Thaçi, Veseli dhe të dyshuarit e tjerë – emrat e të cilëve nuk janë bërë publikë – akuzohen për një sërë krimesh kundër njerëzimit dhe krimesh lufte ndër të cilat, vrasje e paligjshme, zhdukje e detyruar e personave, përndjekje dhe tortura.