Çfarë ndeshje në Serie A, 8 gola në sfidën Lazio-Udinese

Lazio ishte duke humbur 2:0 e më pas edhe 3:1. Në fund pranoi gol në minutën e 99-të dhe mbeti pa fitore ndaj Udineses.

Lazio e ka pritur Udinesen, të enjten mbrëma, në ndeshjen e fundit të xhiros së 15-të të Serie A. Ndeshja ishte shumë dramatike dhe në fund përfundoi 4:4.

Portugezi Beto shënoi për 1:0 në të mirë të Udineses në minutën e 17-të. Për 2:0 i njëjti lojtar realizoi në minutën e 32-të. Dy minuta më vonë Ciro Immobile shënoi për 2:1. Nahuel Molina shënoi gol tjetër për Udinesen, në minutën e 44-të, për rezultatin 3:1.

Pjesa e dytë ishte e Lazios. Por vetëm deri në minutën e 99-të.

Pedro ngushtoi rezultatin në 3:2, ndërsa Sergej Milinkoviq-Saviq barazoi shifrat në 3:3, në minutën e 56-të. Mbrojtësi Francesco Acerbi shënoi golin për 4:3 në minutën e 79-të. Goli i tij u pranua vetëm pas rishikimit të sistemit VAR. Kur mendohej se Lazio po fitonte, arbitri dha një goditje dënimi afër zonës së ekipit nga Roma.

Udinese realizoi një skemë dhe Torgay Arslan goditi saktë.

U krijua një tollovi ku u përfshinë lojtarët e të dy skuadrave, ndërsa Walace i Udineses u përjashtua me karton të kuq.

Patric i Lazios u përjashtua pas dy kartonëve të verdhë në minutën e 57-të, njëjtë si Molina i Udineses në minutën e 69-të.

Elseid Hysaj kompletoi ndeshjen te Lazio, duke mbuluar krahun e majtë. Vedat Muriqi e përcjelli ndeshjen nga stoli, njëjtë si Thomas Strakosha.

Lazio është e nënta me 22 pikë. Udinese mban pozitën e 14-të me 16 pikë.