Çfarë është varianti i ri i koronavirusit dhe a është i pranishëm në Kosovë, flet infektologu Ilir Tolaj

Koronavirusi i cili është duke marrë jetën e miliona njerëzve në botë, ka filluar të shfaq një variant të ri.

Varianti i ri që është edhe më përhapës, është zbuluar në Britaninë e Madhe për herë të parë në shtator, në nëntor, rreth një e katërta e rasteve në Lodër kanë qenë të këtij varianti; në mes të dhjetorit, afro dy të tretat.

Mbretëria e Bashkuar ka lëshuar urdhra për qëndrim në shtëpi, ndërsa shumë vende evropiane kanë vendosur ndalesa udhëtimi ndaj tyre, për shkak të përhapjes së variantit të ri të koronavirusit.

Kryeministri britanik, Boris Johnson, ka thënë se variant i rim und të jetë deri në 70 për qind më i transmetueshëm, gjersa ka paralajmëruar se kjo mund ta rrisë për 0.4 vlerën R- një e dhënë që tregon nëse epidemia rritet ose zvogëlohet.

Më tepër rreth këtij varianti të ri, ka folur për Ballkani.info, ifektologu Ilir Tolaj, i cili thotë se deri më tani nuk është vërejtur ndonjë ndryshim në aspektin e formës klinik të sëmundjes.

Sipas Tolajt, varianti i ri i posa zbuluar, me gjasë po karakterizohet me një aftësi të përhapjes më të lehtë dhe më të shpejtë, sesa variantet e deritanishme.

“Varianti i ri i virusit SARS CoV-2 i cili së pari është zbuluar në Mbretërinë e Bashkuar dhe i cili deri tash është regjistruar edhe në disa vende të Evropës, është një prej shumë varianteve të virusit shkaktar të COVID-19, të cilat janë shfaqur që nga fillimi i pandemisë e deri tash. Saktësisht, janë mbi 1600 mutacione të ndryshme që janë evidentuar deri tash; ndërsa prej gjithë këtij numri të madh të varianteve të ndryshme të virusit, një numër i kufizuar, rreth 7 të njohura deri tash, kanë qenë përgjegjëse për rastet e evidentuara me COVID-19, kuptohet me shtrirje të ndryshme gjeografike. Varianti i ri i posa zbuluar,  me gjasë po karakterizohet me një aftësi të përhapjes më të lehtë dhe më të shpejtë, sesa variantet e deritashme”, thotë Tolaj për Ballkani.info.

Ai tregon se në aspekt të formës klinike të sëmundjes, nuk janë vërejtur ndryshimet.

Por, sipas tij, virusi pasi që përhapet më shpejt e më lehtë, nënkupton se mund të ketë ndikim në shtimin e rasteve të reja të infeksioneve, e rrjedhimisht edhe të të sëmurëve.

“Në aspektin e formës klinike të sëmundjes, deri tash nuk është vërejtur kurrfarë ndryshimi, gjegjësisht ky variant nuk është treguar me agresiv në aspektin klinik. Gjithashtu, edhe në aspektin e mjekimit të këtyre rasteve, asgjë nuk ka ndryshuar me variantin e ri të virusit në aspektin e aftësisë së përhapjes më të lehtë të virusit, autoritetet shëndetësore në Mbretërinë e Bashkuar kanë vlerësuar se ky virus po përhapet më shpejt dhe më lehtë. Kjo kuptohet se mund të ketë ndikim në shtimin e rasteve të reja të infeksioneve e rrjedhimisht edhe të të sëmurëve”, pohon Tolaj.

Sesa është e rrezikuar Kosova ndaj variantit të ri dhe nëse do të duhej të ndërmerren masat për mbylljen e kufijve, infektologu Tolaj, thotë se për shkak të kontakteve ky variant mund të jetë prezent tashmë në Kosovë,

Sipas Tolajt, masat e mbylljes së kufijve janë të panevojshme dhe joproduktive.

“ Kosova ka një popullatë të konsideruar të bashkatdhetarëve tonë në Mbretërinë e Bashkuar. Gjithashtu komunikimet mes këtyre dy vendeve, edhe pse të redukuara, kanë qenë prezente gjatë gjithë kohës. Kështu që është e mundur që deri tash edhe në Kosove të ketë arritur ky variant i ri i virusit. Për këtë shkak dhe për arsye tjera, masat e mbylljes së kufijve janë të panevojshme dhe joproduktive. Meqë varianti i ri i virusit nuk po tregon ndonjë agresivitet të shtuar, atëherë  nuk pritet të kemi raste me forma më të rënda sesa qe i kemi pasur deri tash. Gjithashtu mjekimi i rasteve me këtë variant të  ri të virusit është plotësisht  i njëjtë si edhe i rasteve të deritashme. Ndërsa aftësia e përhapjes më të shpejtë të këtij varianti, për rrethanat e Kosovës, me një popullate të re dhe me një numër relativisht të madh të të infektuarve deri tash, mendoj që do të ketë efekt të kufizuar. Mund të ketë më shumë të infektuar, të cilët edhe ashtu nuk do të identifikohen sepse testimet janë të kufizuara, ndërsa numri i rasteve të hospitalizuara mund  lehtësisht të rriten”, thekson Tolaj./Ballkani.info./