Baki Burri mund ta zëvendësojë Agim Ademin në krye të Federatës kosovare të Futbollit.

Kjo për arsye që tashmë janë mbledhur nënshkrimet për thirrjen e Kuvendit të jashtëzakonshëm zgjedhor të FFK-së.

Të paktën kështu thonë burime të Ballkani.info brenda Federatës.

“Po pritet përfundimi i dy ndeshjeve ndërkombëtare që i ka Kosova tash në mars, më 21 dhe 25, dhe do të thirret Kuvendi i jashtëzakonshëm zgjedhor i Federatës”, ka thënë burimet tona.

Mirëpo, këto burime gjithashtu thonë se Kuvendi i jashtëzakonshëm zgjedhor mund të mos mbahet shpejt, pasi që FFK-ja më 28 mars e ka Kuvendin e Punës dhe aty mund të kërkohet shkarkimi i kryetarit aktual, Agim Ademi.

Ndër emrat që po fliten se mund ta sfidojnë Ademin për kryetar të FFK-së, është edhe Gramoz Vokrri, i biri i legjendës së ndjerë, Fadil Vokrri.

Duket se biri i legjendës ka mbështetje realtivisht të madhe në mesin e klubeve kosovare.

Të kujtojmë se problemi në FFK dhe akuzat ndaj Agim Ademit kanë nisur kur Llapi akuzoi atë dhe Federatën për favorizim të Prishtinës.

“Sot nuk e kemi mposhtur vetëm Prishtinën por edhe Federatën e Futbollit të Kosovës e cila i ka dhënë premio 38000 euro për ta mposhtur Llapin. Të premten, një ditë para ndeshjes Presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi i pagoi FC Prishtinës premio në vlerë 38000€. Kjo nuk ndodh askund në botë, kjo është për hetuesi!!! Shtrohet pyetja për Komitetin ekzekutiv a ka raste tjera kur ndodh e njëjta gjë dhe apo ndodhin këto ndodhi me leje të tyre?”, kjo ishte deklarata e Llapit më 2 mars.

Më pas edhe Feronikeli pati akuza ndaj FFK-së dhe Agim Ademit.

Të gjithë këto janë hedhur poshtë nga FFK-ja dhe Ademi.

Duhet pritur përfundimi i dy ndeshjeve ndërkombëtare të Kosovës, kundër Danimarkës dhe Bullgarisë, që të qartësohen gjërat në federatën më të madhe sportive në vend. /Ballkani.info/