Simon Tisdall

Çfarë do të mendojnë fëmijët që e mbijetojnë sulmin e Gazës, për ata që këtë sulm e lejuan?

Nga: Simon Tisdall / The Guardian

Orë pas ore vriten, gjymtohen dhe traumatizohen, ndërsa udhëheqësit e shteteve tona dështojnë të ndërhyjnë.

Britmat e fëmijëve vështirë se dëgjohen nga zhurma dhe tërbimi në vorbullën e Gazës. Pra, është dyfish më e rëndësishme të dëgjosh thirrjet e tyre, sepse vërtet e tmerrshme është ajo që tani po ndodh me ta. Jo, mos e kthe kokën mënjanë. Mos e mbyll këtë faqe. Sepse, ky është edhe problemi yt.

Shumë kohë pasi të ketë mbaruar kjo luftë, vdekjet e dhunshme të të paktën 1 750 fëmijëve – numri rritet për çdo ditë – dhe gjymtimi i mendjeve dhe trupave të mijëra të tjerëve, do të mbahet në mend si një dështim epik i sjelljes njerëzore për të cilën të gjithë përfundimisht mund ta paguajnë një çmim. .

Është dështim i politikës, i sigurisë kolektive dhe ligjit ndërkombëtar – pas mizorive të tmerrshme të Hamasit më 7 tetor, që vranë 1 400 njerëz në Izrael, duke përfshirë shumë fëmijë dhe foshnja. Megjithatë, ngjarjet në Gazë paraqesin një dështimin moral, thellë të rrënjosur, për të cilin të gjithë duhet ta kenë njëfarë faji.

Nuk është hera e parë që komuniteti ndërkombëtar akuzohet për bashkëpunim në një krim lufte, për një krim kolektiv kundër njerëzimit; po e shikon këtë teksa shpaloset në Gazë, kryesisht nga distanca, dhe mjerisht po dështon për ta ndaluar. Më vjen në mendje masakra e Srebrenicës më 1995, ashtu si edhe Ruanda e vitit 1994.

Në një deklaratë të përbashkët të së dielës, ShBA-ja, Britania, Franca, Gjermania, Italia dhe Kanadaja bënë thirrje për “respektimin e ligjit ndërkombëtar humanitar, duke përfshirë mbrojtjen e civilëve.” Por, ata mirë e dinë se në Gazë po ndodh pikërisht e kundërta. Dhe, nuk janë vetëm ata. Kina dhe Rusia nuk po bëjnë asgjë për ta ndaluar këtë.

Kush do t’i gjykojë ata, këto qeveri dhe këta liderë të fuqishëm dhe dominues në çështjet globale, politikat neglizhuese, hipokrite dhe egoiste të të cilëve – në të kaluarën dhe të tashmen – u kombinuan për ta prodhuar këtë tragjedi? Dhe, kush do t’ju gjykojë dhe në emër të kujt nuk po veprojnë këto qeveri?

Përgjigja: fëmijët e Gazës, ose në çdo rast ata që mbijetojnë. Gjykimi dhe hakmarrja e tyre, kur vjen puna, gjithashtu mund të jenë të pakursyera, pa dallime dhe të tmerrshme.

Këtu janë disa shifra. Në fillim të javës së kaluar, shoqata bamirëse Save the Children raportoi se për çdo 15 minuta vritet një fëmijë në Gazë. Të shtunën, Euro-Med Human Rights Monitor vlerësonte shifrën ditore të vrasjes të 200 fëmijëve dhe foshnjave. Nga më shumë se 4 600 palestinezë të vrarë, qëkur forcat izraelite filluan bombardimet, rreth 40 për qind janë fëmijë, thotë ministrja palestineze e Shëndetësisë që udhëhiqet nga Hamasi.

Prapa këtyre figurave të zymta, qëndron një botë e dhimbjes. Që nga java e kaluar, të paktën 3 250 fëmijë janë lënduar dhe 1 240 kanë nevojë për kujdes të specializuar mjekësor. Shumë prej tyre kanë djegie të rënda dhe plagë të shrapnelit ose kanë humbur gjymtyrët. Megjithatë, spitalet dhe klinikat që janë dëmtuar ose shkatërruar ose kanë mungesë të furnizimeve mjekësore – për shkak të rrethimit të Izraelit – nuk janë në gjendje t’i trajtojnë si duhet ata.

“Bombardimi i Izraelit dhe bllokada totale e paligjshme e Gazës do të thotë se fëmijët e panumërt të plagosur dhe të sëmurë, mes shumë civilëve të tjerë, do të vdesin për shkak të mungesës së kujdesit mjekësor,” tha Human Rights Watch.

Fëmijët e Gazës vuajnë me “nivelet rekorde të traumës psikologjike dhe të terrorit,” thotë Euro-Med. Shumë prej tyre janë të pastrehë dhe nuk kanë ushqim dhe ujë të pijshëm të sigurt, ose janë të detyruar të ikin në jug, nga luftimet, duke e shtuar traumën e tyre.

“Kur ka ndonjë shpërthim ose kur goditet ndonjë objektiv nga afër, ata gjithmonë bërtasin, gjithmonë janë të frikësuar. Përpiqemi t’i qetësojmë më të rinjtë, përpiqemi t’ju themi: ‘Mos u shqetësoni, janë thjesht fishekzjarrë.’ Por, të moshuarit e kuptojnë se çfarë është duke ndodhur,” tha Ibrahim al-Agha për Reuters, që është i strehuar në një shtëpi në Kan Juniz.

Shëndeti mendor i fëmijëve nën 18 vjeç, të cilët përbëjnë 47 përqindëshin e popullsisë 2.3 milionëshe të Gazës (krahasuar me 22 për qind në SHBA dhe 33 për qind në Izrael), prej vitesh ka qenë në krizë. Një raport i vitit të kaluar zbuloi se katër nga pesë fëmijë thonë se vuajnë nga depresioni, nga pikëllimi ose nga frika – përkeqësim ky i mprehtë në krahasim me një studim të vitit 2018.

Më shumë se gjysma e fëmijëve të Gazës kanë menduar për vetëvrasje dhe tre nga pesë prej tyre janë të vetëdëmtuar, thuhet në raport. Gjetjet mbështeten në kërkimet e fundit mbi efektet negative psikologjike të “luftës kronike” në mendjet e të rinjve.

Përplasjet e përsëritura midis forcave izraelite dhe të Hamasit, dhe efektet e bllokadës që filloi më 2007, janë faktorët kyç në këtë epidemi të sëmundjeve mendore. Tashti, mes kësaj lufte gjithëpërfshirëse, gjendja e vështirë e fëmijëve po përkeqësohet edhe më shumë teksa Izraeli shton bombardimet para pushtimit tokësor.

Çdokush në pjesët e Gazës veriore, që injoron urdhrin e evakuimit të Izraelit, mund të konsiderohet si “bashkëpunëtor në një organizatë terroriste,” kjo sipas fletëpalosjes të shpërndarë në fundjavë. Pra, është zyrtare. Civilët, duke përfshirë fëmijët ndoshta jetimë, të plagosur, të humbur ose të ndarë nga familjet e veta, tani mund të konsiderohen si luftëtarë të armikut nëse ata shfaqen në vendin e “gabuar.”

Vrasja dhe shënjestrimi i civilëve, veçanërisht fëmijëve, është i paligjshëm sipas ligjit ndërkombëtar humanitar. Konventat e Gjenevës të vitit 1949, që rregullojnë konfliktin e armatosur, thonë se fëmijët duhet të mbrohen dhe të trajtohen në mënyrë njerëzore. Izraeli i ratifikoi konventat, në vitin 1951.

Javën e kaluar, Amnesty International publikoi provat e detajuara për ato që tha se janë krime lufte. Forcat izraelite “kanë shfaqur një shpërfillje tronditëse për jetën e civilëve,” thuhet aty.

Në një rast të hetuar nga Amnesty, një familje e tërë u zhduk, atëherë kur forcat izraelite goditën një ndërtesë banimi në lagjen Zeitun të qytetit të Gazës. Në mesin e 15 anëtarëve të familjes al-Dos, që vdiqën, shtatë ishin shtatë – përfshirë Ibtissamin (17), Awniun (12) dhe Adamin (18 muajsh).

Nëse nuk janë raketat, janë edhe sëmundjet. Oxfam-i dhe OKB-ja paralajmërojnë se kolapsi i shërbimeve të ujit dhe kanalizimeve, të shkaktuara nga rrethimi, ka të ngjarë të çojnë në shpërthime të kolerës dhe të sëmundjeve të tjera infektive. Në rrethanat e tilla, fëmijët e vegjël dhe foshnjat janë në rrezik të lartë.

Janë shqetësuese implikimet afatgjata të këtij terrorizimi, traumatizimi dhe viktimizimi të pamëshirshëm e të vazhdueshëm të të rinjve të Gazës. Ata që mbijetojnë do të rriten të trishtuar, të frikësuar, fajtorë, të zemëruar, të tjetërsuar dhe në kërkim të hakmarrjes – ose, të paktën, shumë prej tyre do të rriten duke gjykuar nga përvoja e kaluar.

Ata do të pyesin se kush i vrau vëllezërit dhe motrat e tyre, prindërit, miqtë e tyre dhe pse këtë e bënë. Do të pyesin se çfarë bëri bota për t’i ndaluar vrasjet. Të përhumbur nga kujtimet e hidhura të gjakut dhe të lotëve, do të kërkojnë drejtësi. Dhe, disa, si shumë të tjerë më parë, mund t’i marrin gjërat në duart e veta – kudo që munden.

Për pyetjet e tyre, përgjigje të mira nuk ka. Ajo që po ndodh është krejtësisht imorale – dhe, të gjithë ne këtë e dimë. Meqë ra fjala, edhe 12 fëmijë të tjerë vdiqën pa nevojë në Gazë, teksa po shkruhej ky artikull.

Kjo varet nga unë, varet nga ju. Varet nga ne. /Telegrafi