Çfarë bëjnë 15 diplomatët kosovarë në Zvicër në krye me ambasadoren, Nazane Breca?

Stabiliteti i brishtë në Ballkanin Perëndimor po dridhet dhe diplomacia zvicerane ka një qëndrim të qartë. Në muajt e fundit, mosmarrëveshja mes Kosovës dhe Serbisë vetëm sa është rritur, me vendosjen e taksës 100%, dhe formimin e ushtrisë, kështu nis lajmi i publikuar në televizionin publik zviceran, më të madhin në vend, SRF, i cili ka paraqitur vlerësimin e tij, sa i përket raportit Kosovës-Serbi.

Sipas SRF-së, që nga vera e kaluar, edhe shkëmbimi i territoreve është parë si një zgjidhje e mundshme: një “demarkacioni ndërmjet serbëve dhe shqiptarëve”, siç shprehet presidenti serb, Aleksandar Vuçiq ose një “korrigjim i kufirit”, siç thotë presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi.

Shtetet e Bashkuara, Rusia dhe një pjesë e BE-së me sa duket mund ta jetësojnë këtë ide.

Vetëm Gjermania deri më tani ka folur kundër kufijve të ri në Ballkanin Perëndimor. Prapa skenave, edhe Zvicra, shkruan SRF.

Kjo konfirmohet nga Departamenti Federal i Punëve të Jashtme (EDA) me kërkesë të SRF-së: “Zvicra ka ripohuar gjithmonë angazhimin e saj për bashkëjetesën paqësore të shoqërive multietnike në rajon. Efekti domino i rrezikshëm? Që nga viti 1995, Zvicra ka projekte të ndryshme për stabilitetin dhe zhvillimin në Ballkanin Perëndimor. “Prandaj Zvicra është e mendimit se ndryshimi i kufijve në mes të Serbisë dhe Kosovës do të rrezikonte stabilitetin e brishtë në Ballkanin Perëndimor”, thotë zëdhënësi i EDA-s Tilman Renz.

Duhet kujtuar se Zvicra është shtet neutral dhe me të drejt shtrohet dilema se pse duhet të kishte anime në procese të caktuara. Po ashtu një tjetër goditje nga ky shtet për Kosovën i ka ardhur pikërisht nga senatori zviceran, Dick Marty, marrë parasysh se nga raporti i tij i shpalosur në Parlamentin Evropian është formuar Gjykata Speciale e cila do t’i gjykojë vetëm ish luftetarët e UÇK-së.

Mirëpo, kjo deklaratë zyrtare nga shteti zviceran lidhur me idetë e fundit të hedhura në publik për një marrëveshje finale ndërmjet Kosovës dhe Serbisë duket se nuk u ka bërë përshtypje diplomatëve të shumtë kosovarë që janë të akredituar në Zvicër.

Derisa flitet se në Zvicër janë më shumë se 15 diplomatë kosovarë, asnjëri nga ta nuk ka dërguar të paktën një njoftim në bazën e tyre në Prishtinë, respektivisht në MPJ-në e Kosovës për të marrë një lloj qartësimi se si duhet përgjigjur në këtë qëndrim zviceran,

Se çfarë bëjnë 15 diplomatët kosovarë në Zvicër ka pyetur edhe analisti dhe gazetari Valon Syla.

“Diplomacia kosovare në Zvicër, po flen derisa Zvicra, ka votuar kundër liberalizimit të vizave. Poashtu, televizioni i saj publik ka dalë me qëndrim kundër zgjidhjes së mundshme me anë të një demarkacioni të kufirit, midis Kosovës dhe Serbisë edhe pse në esencë është vend neutral, dhe jo anëtare në aleanca ndërkombëtare. Hajde Zvicra i paska gajlet e veta. Por Kosova në Zvicër i ka afërsisht 15 diplomatë. A po punon dikush atje? A veç me lugë të çajit e këmbëkryq në shilte të diasporës po rrini?”, ka shkruar Syla.

Në fakt diplomatët kosovarë nuk është që nuk punojnë! Ata janë të gatshëm të marrin pjesë në çdo manifestim të mundshëm. Organizimet për përvjetore nuk i lënë t’ju ikin. Ku ka për të ngrënë e për të pirë, ata janë aty!

Në këtë fotografi të bërë për nder të 11 vjetorit të pavarësisë së Kosovës të mbajtur në Zvicër, shihet ish ambsadori i Kosovës, Naim Mala, majtas, ministër këshilltari Mustafë Xhemaili dhe djathtas është shefi i konsullatës në Gjenevë, Ramadan Avdiu.

Me të drejt shtrohet pyetja se çfarë bën diplomacia kosovare në Zvicër në krye me ambasadoren, Nazane Breca? /Ballkani.info/