Çeku reagon pas përleshjeve në ndeshjen Ponte Prizreni – Peja

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, ka reaguar pas përleshjes së sotme në ndeshjen e pestë të serisë gjysmëfinale të Superligës së Kosovës në basketboll mes Ponte Prizrenit dhe Pejës.

Në fund të pjesës së parë ka ardhur deri te përleshja mes skuadrave, ndërsa si pasojë është ndërprerë ndeshja. Pas pjesës së parë Peja ishte në avantazh 49:48.

Çeku ka thënë se nuk do të kalohet pa u marrë masa ndaj këtij incidenti. Çeku ka thënë se të enjten do të ftohet takimi i Këshillit kombëtar për parandalimin e dhunës dhe dukurive negative në sport.

“Shqetësuese janë ngjarjet nga takimi i sotëm basketbollistik mes KB Ponte dhe KB Peja në Prizren, i ndërprerë me vendim të gjyqtarëve. Por, nuk do të kalojnë pa adresim të përgjegjësisë dhe marrje të masave. Sulmet fizike, fyerjet e veprimet tjera anti-sportive do të marrin përgjigjen e merituar. Jemi duke i grumbulluar të gjitha informatat për incidentin. Për nesër kam ftuar në takim Federatën e Basketbollit të Kosovës, ndërsa të enjten do të ftojmë takimin e Këshillit kombëtar për parandalimin e dhunës dhe dukurive negative në sport. Ndërkohë presim edhe raportin e Policisë së Kosovës për rastin”, ka shkruar Çeku në Facebook.