Çeki-Angli, “Dardanët” presin fitoren e “Tre Luanëve”

Për herë të parë në histori Anglia përballet me Republikën Çeke jashtë stadiumit “Wembley” dhe në mënyrë të kuptueshme kjo është edhe sfida e parë e përfaqësueses së “Tre Luanëve” në tokën çeke, në një ndeshje kompetitive.

Dy ekipet bëjnë pjesë në Grupin A, sa i përket ndeshjeve të vlefshme për fazën kualifikuese të kampionatit të ardhshëm europian, aktivitet që do të zhvillohet në vitin 2020 në 12 qytete të ndryshme.

Skuadra e drejtuar nga Gareth Southgate i ka të gjitha mundësitë për të qenë e pranishme në europianin e ardhshëm, teksa kontrollon më së miri situatën e Grupit A. Të dy ekipet janë shortuar në një nga 5 grupet me 5 skuadra përfaqësuese dhe Anglia, ndonëse ka luajtur vetëm katër ndeshje deri tani, përsëri kryeson grupin me 100% të pikëve. Fitorja 5-3 përpara një muaji në “Hampshire” ndaj Kosovës e ngjiti Anglinë në kuotën e 12 pikëve, gjithsesi tani “Tre Luanët” janë të shtrënguar për të zhvilluar dy ndeshje në harkun e vetëm katër ditëve, sepse pas duelit me Republikën Çeke, të hënën, në mbrëmje, ekipi i drejtuar nga trajneri Gareth Southgate do të vizitojë në stadiumin “Vasil Levski” të Sofies formacionin e Bullgarisë.

Takimi do të luhet në orën 20:45 në stadiumin “Sinobo” të Pragës dhe vlen të theksohet fakti që skuadra çeke në shtëpi ka luajtur mirë, teksa ka fituar radhazi tre sfidat e fundit kompetitive, ndaj Sllovakisë në Ligën e Kombeve, si dhe me Bullgarinë dhe Malin e Zi në ndeshjet e Grupit A.

Suksesi 3-0 i muajit të kaluar në Podgoricë me përfaqësuesen e Malit të Zi e mban për momentin ekipin çek në vendin e dytë në këtë grup, për më tepër me një ndeshje më shumë sesa “Tre Luanët”, por sidoqoftë presioni i përfaqësueses kosovare ndihet, pasi ekipi i drejtuar nga Bernard Challandes klasifikohet aktualisht në pozicionin e tretë, me vetëm një pikë më pak.

Tek Anglia nuk është në dispozicion mesfushori i Leicester Cityt James Maddison, ndërsa te skuadra çeke mungojnë disa lojtarë të rëndësishëm, por gjithsesi kjo është ndeshja e vetme për ekipin e drejtuar nga trajneri Jaroslav Silhavy, pasi sfida me Irlandën e Veriut ditën e hënë do të jetë thjesht një ndeshje miqësore.

Kjo është përballja e katërt në histori ndërmjet këtyre dy përfaqësueseve. Anglia numëron 2 fitore pa pësuar si dhe një barazim me shifrat 2-2, në një test miqësor, përpara 11 vjetësh në Wembley, ndërkaq vlen të kujtohet fakti që në kryeqytet Anglia fitoi thellë 5-0 duelin e parë mes tyre, takim ku Raheem Sterling realizoi plot tre gola për ekipin e tij.

Ndeshjet e sotme:

Andorrë – Moldavi (20:45)

Çeki – Angli (20:45)

Islandë – Francë (20:45)

Mali i Zi – Bullgari (20:45)

Portugali – Luksemburg (20:45)

Turqi – Shqipëri (20:45)

Ukrainë – Lituani (20:45)

loading…