Presidenti i UEFA-së, Alexander Ceferin i ka mohuar raportimet për formimin e një kompeticioni të quajtur “Super League.

Disa dokumente të faqes “Football Leaks” të publikuara te revista gjermane “Der Spiegel” pretendonin se klube të mëdha europiane si Real Madridi, Barcelona, Manchester United e City, ishin në bisedime të avancuara për të qenë pjesë e “Super Leagues”.

Ndërsa shefi ekzekutiv i Bayernit, Karl-Heinz Rummenigge u akuzua se ishte inicuesi i kësaj ideje, por që më vonë u mohua nga 63 vjeçari.

Ceferin i ka cilësuar këto pretendime si trillime ndërsa siguroi se nuk do të krijohet kjo ligë.

“Ne kemi disa ide, por ajo çfarë mund të them është se “Super League” as që diskutohet, nuk do të formohet. Është një ëndërr apo trillim”, theksoi Ceferin.

Kryetari i Shoqatës së Klubeve Europiane dhe presidenti i Juventusit, Andrea Agnelli tha se plani është të bashkëpunohet me UEFA-në, duke e përjashtuar si mundësi formimin e të ashtuquajturës “Super League.

Një kompeticion i tretë i organizuar nga UEFA pas Champions dhe Europa Leagues pritet të konfirmohet në mbledhjen e ardhshme të institucionit më të rëndësishëm të futbollit europian, ndërsa kjo garë do të përbëhet nga 32 klube dhe do t’i japë mundësinë edhe skuadrave më të vogla europiane.