Cavani, luftëtari dhe golgeteri që kundërshtarët e Unitedit nuk e duan përballë

Edinson Cavani vlerësohej si lojtari që mund ta bënte dallimin në “Goodison Park” në ndeshjen çerekfinale të Kupës së Ligës së Anglisë, që Manchester Unitedi e luajti të mërkurën mbrëma kundër Evertonit.

Ai edhe e bëri dallimin. Në pjesën e parë, sulmuesi i Manchester Unitedit kishte regjistruar aq gjuajtje në portë sa skuadra e Evertonit në total. Portieri i Evertonit, Robin Olsen, ndihej i lehtësuar kur priste gjuajtjet e Cavanit apo kur ato përfundonin jashtë portës. Në 20 minutat e para të takimit, Cavani ishte kërcënimi më i madh për Evertonin dhe falë tij skuadra e Ole Gunnar Solsjaerit kishte dominim total ndaj asaj të Carlo Ancelottit.

Cavani ishte i gatshëm për gjithçka, gjithnjë në lëvizje dhe shqetësonte vazhdimisht pesë mbrojtësit e Evertonit që ishin nën presion nga prania e tij. Në fund, Cavani ishte ai që e kaloi Manchester Unitedin në epërsi në minutën e 88-të, përpara se “djajtë e kuq” ta mbyllnin ndeshjen me fitoren 2:0 dhe të kualifikoheshin në gjysmëfinale të kësaj kupe.

Siç vlerësoi Solskjaer: “Cavani duhej të kishte shënuar tre gola vetëm në pjesën e parë, ai është një sulmues fantastik, ka lëvizje dhe mbi të gjitha cilësi”.

Cavani lufton për topin, ai dëshiron ta përfundojë aksionin dhe kundërshtarët urrejnë të përballen me të. Uruguaiani jep gjithçka nga vetja për minutat që është në fushë dhe është pikërisht sulmuesi që i ka munguar Manchester Unitedit.

“Me Cavanin në fushë, përfundimisht jemi shumë më të rrezikshëm për kundërshtarët. Dhe, sërish e them që jemi me fat që kemi arritur ta marrim”, shtoi Solskjaer.

Pasi nuk u aktivizua te Paris Saint-Germaini për një periudhë edicionin e shkuar, për shkak se refuzoi ta rinovonte kontratën që i skadoi në verë, Cavani në ditën e fundit të afatit kalimtar iu bashkua Manchesterit si futbollist i lirë. Ai nuk e pati aspak të lehtë adaptimin në Angli, për shkak se me të arritur u detyrua t’i nënshtrohej karantinimit dyjavor dhe pastaj ishte vazhdimisht në kërkim të formës së tij pas mungesës së ndeshjeve. Cavani duket se tani e ka gjetur formën dhe është mbresëlënës në ndeshjet e fundit për ekipin anglez.

“Ai ka qenë i shkëlqyeshëm. Ai u dëmtua, erdhi vonë dhe unë jam vërtet i kënaqur me ndikimin e tij në ekip, zakonet që ai sjell në stërvitje dhe qëndrimin e tij ndaj lojës. Ai ka shënuar disa gola shumë të rëndësishëm për ne dhe na ofron përvojë. Ai ishte jashtë fushe për shtatë muaj dhe ne kemi qenë të durueshëm me të. Përfundimisht ai ka ndikim të madh në ekipin tonë”, shtoi Solskjaer.

Në fillim të pjesës së dytë, Cavani u përfshi në një përleshje të ashpër me qendërmbrojtësin e Evertonit, Yerry Mina. Cavani e kapi Minan për fyti dhe po të shikohej rasti në sistemin VAR atëherë sulmuesi uruguaian do të përjashtohej nga ndeshje.

“Janë dy amerikano-jugorë që kanë pasur disa duele më parë, pasi më herët u takuan edhe në kualifikimet e përfaqësueseve. Gjëra që ndodhin”, u arsyetua trajneri i Unitedit.

Falë ndikimit të Cavanit, Manchester Unitedi e eliminoi Evertonin për ta siguruar përballjen me rivalin e madh të qytetit, Manchester City, në kuadër të gjysmëfinales. Kjo do të jetë një përsëritje e gjysmëfinales të edicionit të shkuar, në të cilën City e eliminoi Unitedin pas dy ndeshjeve. Mirëpo, këtë herë do të zhvillohet vetëm një ndeshje dhe atë në stadiumin “Old Trafford” në fillim të muajit tjetër.

“Në gjysmëfinale do të futemi të motivuar dhe me Cavanin në formë. Synimi është ta fitojmë këtë trofe”, tha Solskjaer.

Cavani, 33-vjeçar, këtë edicion ka shënuar katër gola në 12 ndeshje për Manchester Unitedin në të gjitha garat. Ai ka kontratë me ekipin anglez deri në fund të këtij edicioni, me mundësi vazhdimi edhe për një vit tjetër. Duke pasur parasysh efektin që ka pasur Cavani këtë sezon tek Unitedi, nuk do të ketë dyshim se drejtuesit e klubit do ta mbajnë atë edhe për një periudhë më të gjatë në ekip.