Cavani konfirmon se nuk ka probleme me Neymarin

Edinson Cavani kishte një moment nervoze me bashkëlojtarin e tij te Paris Saint Germain, Neymarin gjatë ndeshjes miqësore Brazil-Uruguai por 31 vjeçari ka mohuar të ketë ndonjë mosmarrëveshje mes tyre.

Cavani u ndëshkua me karton të verdhë për atë ndërhyrje, por sulmuesi i kampionëve të Francës insiston se nuk kishte shkaktuar faull dhe se qëllimi i tij ishte ta sqaronte te Neymari, teksa shtoi se pas ndeshjes janë shokë dhe vëllezër.

“Gjërat që ndodhin në fushë kanë të bëjnë me futbollin, pas asaj ne jemi shokë, vëllezër dhe bashkëlojtarë. Por gjatë ndeshjes dëshironi të fitoni dhe është normale të mbroni kombëtaren tuaj. Unë nuk bëra asgjë e nuk e preka Neymarin dhe dëshirova t’i them se nuk ishte faull siç do të bëja me të gjithë tjerët. Nuk ka nevojë për t’u diskutuar për gjëra tjera, janë mediat ato që interesohen të gjejnë ndonjë gjë”, u shpreh Cavani.

Uruguaiani e dha opinionin e tij edhe në lidhje me fituesin e Topit të Artë, teksa shtoi se triumfues duhet të jetë një francez.

“3 apo 4 lojtarë e meritojnë atë çmim. Varane, Griezmann dhe Mbappe janë në mesin e tyre. Duhet të shikohen performancat e secilit, por sipas meje një francez duhet ta fitojë Topin e Artë. Varane e meriton më së shumti sepse e ka fituar Champions Leaguen dhe Kupën e Botës”, përfundoi Cavani.