Portieri spanjoll, Iker Casillas ka reaguar pas humbjes së Manchester Unitedit në udhëtim te Liverpooli, duke kritikuar sërish trajnerin e “Djajve të Kuq”, Jose Mourinhon.

Dy golëshi i Xherdan Shaqirit dhe ai i Sadio Manes nuk i dhanë asnjë vlerë barazimit të përkohëshëm të Unitedit me Jesse Lingard, me “The Reds” që triumfuan në fund me meritë 3-1.

United ka 26 pikë dhe renditet në vendin e 6-të në Premier League me gol dallim 0, ndërsa ndodhet 19 pikë prapa liderit Liverpoolit, gjersa ka arritur rekordin negativ për grumbullimin e pikëve që nga sezoni 1990-91.

Gardiani i Portos, Casillas ka kritikuar trajnerin portugez përmes një postimi në Twitter, me 55 vjeçarin që në një intervistë me gazetën portugeze “Record” e kishte quajtur ish anëtarin e Real Madridit, si dikush që i është afruar fundit të karrierës.

“Sipas një gazete portugeze, dikush tha se një futbollist si unë që është në moshën 37 vjeçare është afër përfundimit të karrierës. Pajtohem plotësisht. Pyetja ime për këtë gazetë është, në rastin e trajnerëve në cilin moment e vëreni se nuk janë më duke e udhëhequr apo stërvitur skuadrën?”, shkruajti Casillas.

Mourinho dhe Casillas kanë pasur një marrëdhenie të tensionuar te Real Madridi gjatë muajve të fundit të sezonit 2012-2013, me trajnerin e atëhershëm të “Los Blancos” që e kishte lënë në bankën rezervë portierin spanjoll.