Shumë frikë për Iker Casillas.

Portieri i Portos është shtuar me urgjencë në spital për shkak të një infarkti të pësuar pas stërvitjes së mëngjesit, por tani është jashtë rrezikut për jetën. Bota e futbollit ka reaguar menjëherë duke i dërguar mesazhe për urim të shpejtë portierit që ka luajtur më shumë se 15 vite me fanellën e Real Madrid dhe atë të kombëtares spanjolle. Gjithsesi, edhe një situatë si kjo ka arritur të krijojë një polemikë, në qendër të së cilës është Real Madrid.

“San Iker” dhe “Casa Blanca” nuk janë ndarë në mënyrën më të mirë të mundshme dhe Mourinho, armiku i madh i spanjollit në vitet e kaluara në drejtim të Real Madrid, ka patur gisht në këtë histori. Casillas ka humbur vendin në formacionin titullar me portugezin, për ta rifituar atë në kohë për të ngritur “Decima”-n me Ancelotti-n, por më pas ka marrë edhe ai trajtimin Raul nga klubi.

Drejtuesit i kanë bërë të kuptojë se nuk do t’ia rinovonin kontratën dhe lojtari ka vendosur të transferohet te Porto. Nga ai moment e në vazhdim, marrëdhëniet mes Casillas dhe klubit ku është rritur janë ftohur. Një situatë që ka shpërthyer në momentin kur ka ardhur mesazhi i Real-it në lidhje me infarktin e portierit. Një komunikatë prekëse, ku janë bërë urimet e një shërimi të shpejtë “për kapitenin tonë të përjetshëm, që na ka mësuar të kalojmë pengesat më të pabesueshme”.

Ku është problemi? Te vonesa. Lajmi për shtrimin në spital të portierit ka dalë rreth orës 16:00, por postimi i klubit madrilen ka ardhur një orë më vonë, kur shumë skuadra të tjera i kishin uruar më të mirat Casillas-it. Një mungesë respekti që për shumë tifozë të Real-it ka qenë e pafalshme dhe që është përkeqësuar nga mesazhi i Barcelona-s, që ka ardhur rreth 10 minuta para atij të “Los Blancos”.

“Nuk është e mundur që Barcelona t’i bëjë urimet për një shërim të shpejtë të Casillas para Real Madrid. Duhet t’u vijë turp”, ka shkruar një tifoz në Twitter. “Chelsea, Manchester City, FIFA, Barcellona… Të gjithë po dërgojnë mesazhe. Po Real-i, çfarë pret? “, ka pyetur dikush tjetër.