Cardiffi s’pajtohet me vendimin e FIFA-s për rastin e Emiliano Salas, apelon çështjen në CAS

Cardiff City do ta apelojë vendimin e FIFA-s në Gjykatën e Arbitrazhit Sportiv, pasi që organi qeverisës i futbollit botëror e urdhëroi klubin uellsian t’ia paguajë Nantes gjashtë milionë euro për transferimin e futbollistët të ndjerë, Emiliano Sala.

Klubi i Championshipit, nivelit të dytë të futbollit në Angli, pretendon se vendimi i FIFA-s u mor pa i shqyrtuar të gjitha dokumentet e prezantuara nga Cardiffi.

Sala, transferimi më i shtrenjtë në histori të Cardiffit, dhe piloti David Ibbotson, vdiqën kur aeroplani i tyre u rrëzua në janar. Vetëm disa orë më parë, sulmuesi kishte arritur marrëveshje për t’u transferuar nga Nantes në Cardiff, mirëpo këta të fundit pretendojnë se ata s’ishin të detyruar t’ia paguanin Nantesit 15 milionë funtet e transferimit pasi që nuk ishin plotësuar të gjitha kriteret e nevojshme.

Cardiffi, që ra nga Premierliga sezonin e kaluar, refuzoi ta bëjë pagesën e parë të këtij transferimi, pasi që drejtori ekzekutiv i klubit, Mehmet Dalman, insistoi se kishte parregullsi në marrëveshje. Nantes ishte ankuar në FIFA dhe e gjitha kjo çoi deri te vendimi i së hënës.

“Cardiffi është jashtëzakonisht i zhgënjyer nga vendimi i marrë nga Komiteti për Statusin e Lojtarëve të FIFA-s kundër klubit”, thuhet në deklaratën e lëshuar nga klubi.

“Duket se komiteti ka arritur në përfundim për të gjithë këtë kontest pa i shqyrtuar të gjitha dokumentet të prezantuara nga Cardiffi. Ne do ta apelojmë vendimin në CAS, në mënyrë që ta marrim një vendim në pajtim me kërkesat e shumta të Nantesit në kontratë, të cilët e bëjnë kontratën të pavlefshme”.

Sala kishte vdekur gjatë udhëtimit të tij me aeroplan nga Nantes në Cardiff, vetëm dy ditë pasi e kishte nënshkruar marrëveshjen me klubin britanik. Trupi i tij ishte gjetur pas shumë ditëve kërkim në fund të detit, në rrënojat e aeroplanit.

Presidenti i Nantesit, Waldemar Kita, kishte thënë për L’Equipe në maj se ai nuk i dëshiron paratë e transferimit të Salas.

“E vërteta është që unë as nuk i dua ato para dhe mund të mos i marrë kurrë. Nuk dua të bëj para nga vdekja tragjike e dikujt. Nuk jam i interesuar për këtë gjë”, kishte thënë ai.

Kur u pyet se pse atëherë s’po i jep fund këtij kontesti, Kita ishte përgjigjur: “Nuk jam aspak i përfshirë në këtë rast. Avokatët janë duke e drejtuar rastin”.

loading…