Cancelo mendon se Cristiano Ronaldo është ndryshe nga futbollistët e tjerë

Joao Cancelo e ka lavdëruar bashkëlojtarin e tij te Juventusi dhe kombëtarja e Portugalisë, Cristiano Ronaldon duke e cilësuar ish lojtarin e Real Madridit si një fitues të lindur.

Cancelo i ka dhënë të gjitha meritat 5 herë fituesit të Topit të Artë për startin fantastik të sezonit të “Zonjës së Vjetër”, teksa ka shtuar se Ronaldo i jep një tjetër atmosferë skuadrës.

“Po flas për një lojtar që e bën dallimin në secilin klub që shkon sepse ai është një futbollist i ndryshëm nga të tjerët. Kur erdhi te Juventusi nuk e ngriti vetëm nivelin e skuadrës por edhe atë individual. Juventusi ka qenë gjithmonë një klub i madh por tani me transferimin e Cristianos po konsiderohet favorit kryesor për të fituar edhe në Champions League”, tha Cancelo.

Ish mbrojtësi i Interit është i qartë se kush e meriton ta fitojë Topin e Artë dhe vota e tij shkon për Cristiano Ronaldon, përkundër konkurrencës me Luka Modric, Lionel Messi apo Antoine Griezmann.

“Për çdo ditë unë stërvitem së bashku me Ronaldon dhe nëse nuk e fiton edhe këtë edicon të Topit të Artë do të ishte e pabesueshme. Ai është më i mirë se të gjithë dhe sezonin e kaluar ishte vendimtar. Kur ai luan për një skuadër, ajo bëhet më e mira. Shembulli më i mirë ishte “El Clasico”, Real Madridi pa Cristianon u mposht 5-1 nga Barcelona pa Messin”, përfundoi Cancelo.