Cana optimist se nga Kosova do të dalin sportistë të tjerë si Majlinda

Presidenti i Komitetit Olimpik të Kosovës (KOK), Ismet Krasniqi, e ka pritur në takim ish-kapitenin e Shqipërisë, Lorik Cana. Ish-lojtari i “kuqezinjve”, Cana, duke folur për lobimin që e ka bërë për sportin e Kosovës ndër vite, i ofroi mbështetje të plotë kryetarit Krasniqi për të cilin tha se do ta drejtojë me sukses Komitetin Olimpik të Kosovës.

I pari i KOK-ut, Krasniqi, e ka falënderuar ish-futbollistin e shumë skuadrave evropiane duke thënë se vizita e tij është më e veçanta prejse e mori drejtimin e institucionit më të lartë sportiv në Kosovë.

“Fillimisht dua ta falënderoj Lorikun që është në mesin tonë dhe ka shprehur dëshirë për të na vizituar. Një sportist si Loriku me një karrierë të madhe sigurisht që do të jetë ndihmë edhe për ne në të gjitha fushat sportive. Besoj që do të vazhdojmë të bashkëpunojmë në të gjitha sferat sportive në të ardhmen e afërt”, deklaroi Krasniqi.

Angazhim për zhvillimin e sportistëve të rinj ka premtuar Cana. Ky i fundit shpreson që vëmendja të jetë te të rinjtë për të prodhuar sa më shumë talente për të ardhmen. Cana është optimist i madh që në një të ardhme të afërt Kosova do të prodhojë edhe shumë talente që do të arrijnë suksese të mëdha sportive.

“Sfida më e madhe nuk ka të bëjë me nivelin e lartë dhe përfaqësimin e lartë, ka të bëjë me ndryshimin e realitetit dhe investimin sesi ne duhet të zhvillojmë sportin në Kosovë. Kjo ka të bëjë me investime në infrastrukturë, në programe dhe pedagogë e fëmijë që të kenë mundësi të kenë kompeticion të pastër, të nivelit të brendshëm dhe jo domosdoshmërish përfaqësimin në nivel elitar, dhe këto janë sfidat kryesore”, u shpreh Cana.

Ylli i futbollit shqiptar beson që Kosova ka talente që mund të arrijnë sukseset e xhudistes Majlinda Kelmendi që e ka fituar medaljen e artë olimpike.

“Ne jemi një vend i vogël dhe jemi i dhënë pas sportit. Në sportet individuale e di që kemi pasur dhe do të kemi suksese pasi jemi më të prirë. Por ne duhet të punojmë shumë që në të ardhmen të arrijmë të nxjerrim edhe sportistë të tjerë të nivelit të Majlinda Kelmendit që tani është legjendë në sportin e xhudos”, potencoi Cana.

Kryetari i KOK-ut, Krasniqi, ka folur edhe për lojërat olimpike “Tokio 2020”, ku shprehu optimizmin e tij se ekipit olimpik të Kosovës suksesi nuk do t’i mungojë. Kryetari Krasniqi pret që Kosova të kthehet me medalje nga Tokio.

“Presim rezultate të mira nga Tokio. Kemi nëntë garues deri më tani që do të marrin pjesë në këtë ngjarje të madhe sportive. Presim të kemi norma të tjera nga sportet e tjera. Besoj se do të kemi rezultate të mira, ekipi është i përgatitur. Presim rezultat nga xhudo por edhe nga sportet e tjera. Kemi garues që kanë treguar luftëra të mira në gara evropiane, sidomos në xhudo. Besoj që nuk do të kthehemi pa rezultate të mira dhe medalje”, shtoi Krasniqi.

Cana, 37-vjeçar, ka folur edhe për ecurinë e Përfaqësueses së Kosovës në futboll duke komentuar formën e “Dardanëve” në ndeshjet kualifikuese të botërorit “Katari 2022”.

“Për Përfaqësuesen e Kosovës kam vetëm lëvdata pasi jetoj jashtë Kosovës dhe e di se çfarë fjalë të mira ka për Kosovën. Kjo tregon se Kosova ka bërë një përfaqësim të jashtëzakonshëm pasi një shtet me më pak se dy milionë banorë arrin në nivele të tilla. Ka lojtarë tejet cilësorë, të cilët luajnë në ligat më të forta evropiane si Vedat Muriqi, Amir Rrahmani që po bëjnë paraqitje fantastike në top ligat evropiane. Sigurisht që entuziazmi dhe dëshira është shumë e madhe që të arrijmë të kualifikohemi në një kompeticon të madh, por duhet të kemi durim. Ne jemi duke ndërtuar një skuadër e cila në vitet në vazhdim do të sjellë edhe rezultatet pozitive” theksoi Cana.