Futbollisti turk

Calhanoglu zbulon prapaskenat: Kam refuzuar oferta të mëdha për të qëndruar tek Interi

Hakan Calhanoglu tani është një shtyllë e Interit. Çelësat e mesfushës së zikaltërve mund të rrezikoheshin për shkak të disa ofertave maksimale në verë, që erdhën nga Arabia Saudite, por ishte vetë turku, ai që tha jo.

“Po, është e vërtetë, unë vendosa të mos largohesha nga Interi, – thotë ai në intervistën ekskluzive për “Sportmediaset”. – E bëra këtë, sepse e dua Interin”. Calhanoglu i bëri të ditur klubit se donte të qëndronte, duke mbetur në dispozicion të ofertave, në rast se Interi do t’i vlerësonte ato. Gjë që nuk ndodhi kurrë, siç mund të shihet nga fjalët e 29-vjeçarit:

“Falenderoj Ausilio, sepse ai e di se çfarë mendoj unë (dëshira për të qëndruar). Kur mbërritën ato oferta, i thashë klubit: vendosni ju”.

Calhanoglu më pas u përball edhe një herë me lamtumirën delikate nga Milani, për të përqafuar Interin: “Të gjithë mendojnë se u largova për çështje ekonomike, por paratë nuk janë gjithmonë gjithçka. Gjëja më e rëndësishme për mua është të ndihem i rëndësishëm. I tillë ndihem tek Interi. A thonë tifozët kuqezi se kam bërë keq, duke pasur parasysh titullin e vitit 2022? Iu uroj atyre më të mirën, por me durim do të shoh përpara”.

Ndeshja e parë me fanellën e zikaltërve ishte e kuptueshme, plot emocione: “E mbaj mend akoma, kundër Genoa. Isha nervoz se si do të reagonte stadiumi, por edhe i sigurt se dashuria do të vinte, sepse kam besim në cilësitë e mia. Kur tifozët të japin kaq shumë, duhet t’ua kthesh”.

Së fundi, në rrjetet sociale ai ka shkruar “Vit i ri, të njëjtat ambicie”. Por cilat janë këto ambicie? “Të fitoj diçka të rëndësishme me Interin. Mes titullit të Serie A dhe një tjetër finaleje të Ligës së Kampionëve, unë do të zgjidhja të parën. Juventusi thotë se synon vendin e katërt? Unë nuk i dëgjoj ato që thonë bardhezinjtë. Në çdo rast nuk shikoj çfarë bëjnë kundërshtarët, mendoj vetëm për ne”, – saktëson turku.

Së fundi, një “përkëdhelje” për Simone Inzaghi: “Më pëlqen mënyra se si flet me ne lojtarët. Ai gjithmonë dëshiron të fitojë dhe nervozohet kur dorëzohemi pak në stërvitje. Përtej anës sportive, ai ka gjithashtu shumë zemër. Mund të flasësh për çdo gjë me të. Arritëm këtu së bashku dhe së bashku po rritemi”.