Dje Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT) ka marrë vendim për pezullimin e licencës së Televizionit Klan Kosova.

Për këtë gjë ka reaguar edhe pjesëtari i shoqërisë civile, Eugen Cakolli i cili ka thënë se vendimi i MINT-it, që përmes ARBK-së të pengojë punën e mediave, ka një “mal huqjesh ligjore, si në interpretim ashtu edhe në referencim”.

Ai përmes një postimi në Facebook, ka thënë se kështu ndodhë kur së pari e ke vendimin, e pastaj tenton t’i shkruash disa nene, ligje e institucione, vetëm sa për të thënë që janë aty në vendim.

“Nga përpjekja për t’i dhënë më shumë peshë rastit, kallëzimin penal e inicion tek Departamenti për Krime të Rënda në kuadër të Policisë. E para, ajo është Drejtori në kuadër të një divizioni, e jo departament. Së dyti dhe më skandalozja, është që ajo drejtori nuk është përgjegjëse për hetimin e rasteve të keqpërdorimit të detyrës zyrtare apo atyre të autorizimeve ekonomike”, ka shkruar Cakolli.