Cakaj thotë se Shqipëria do të financojë dy projekte në Luginë të Preshevës

Ministri në detyrë i Punëve të Jashtme i Shqipërisë, Gent Cakaj, e ka quajtur lajm fantastik vendimin e Këshilli i Ministrave të Shqipërisë për marrjen përsipër të financimit për restaurimin e ndërtesës së Këshillit Kombëtar Shqiptar në Luginë të Preshevës dhe funksionalizimin e plotë të Qendrës Kulturore Multidimensionale të këtij Këshilli në Komunën e Bujanocit.

Cakaj thotë se funksionalizimi i plotë i Qendrës Kultutore Multidimensionale në Komunën e Bujanocit do të ketë një funksion tepër të rëndësishëm në ruajtjen, promovimin dhe zhvillimin e trashëgimisë kombëtare të shqiptarëve në Luginën e Preshevës dhe më gjerë.

Kjo Qendër, sipas tij, do të ushtrojë edhe një ndikim pozitiv edhe në vitalizimin e shoqërisë civile në ketë hapësirë me vlerë të veçantë historike.

“Kjo masë financiare është zgjatim i përpjekjeve politike të Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme e Republikës së Shqipërisë për konsolidimin e marrëdhënieve politike me shqiptarët në rajon në veçanti. Mbështetja e Republikës së Shqipërisë është e domosdoshme për kultivimin dhe avancimin e identitetit kombëtar dhe kulturor të shqiptarëve në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë”, ka thënë Cakaj, raporton Koha.net.

Ministri i Jashtëm shqiptar ka thënë se shumë shpejt duhet të procedohet me një marrëveshje të veçantë bashkëpunimi për mbështetje të veçantë financiare, politike, shoqërore dhe kultutore për shqiptarët e Luginës.