Ish-deputeti demokrat, Oerd Bylykbashi komentoi përgjimet e publikuara nga “Bild” ditën e djeshme ku dhe deklaroi se gazetari Peter Tiede nuk i ka marrë materialet nga opozita.

I ftuar në A2cnn, Bylykbashi deklaroi se çdo gjë që demokratët kanë denoncuar në Durrës, doli e vërtetë nga përgjimet.

“Ato që dëgjuan dje shqiptarët nuk janë sekret, dihen prej kohësh. Unë kam thënë në Parlament që Durrësi është bërë kryeqyteti i krimit të organizuar në Shqipëri. Neve nuk na besonin kur flisnim për presionin mbi administratën dhe shitblerjen e votës. Të gjitha ato që kemi thënë ne u konfirmuan katërcipërisht dje. Shitblerja e votës dhe kërcënimi i zgjedhësve janë vepra penale. Ne i kemi dokumentuar me mundësitë tona, por për të qenë prova duhen procese hetimore. Ja ku e kemi një dosje me të dhëna tronditëse, por mesa duket nuk i bëjnë përshtypje Edi Ramës dhe do të duheshin që media t’i nxirrte pasi prokuroria fle mbi ato dosje”, u shpreh ish-deputeti i Partisë Demokratike.