Fitorja e thellë e Barcelonës me rezultat 5-1 në “El Clasico” kundër Real Madridit, e ka impresionuar mesfushorin Sergio Busquets.

Në mungesë të Lionel Messit i cili vuan nga lëndimi i krahut, rolin e protagonistit e mori Luis Suarez që shënoi tre gola, dhe për Busquets kjo është një arritje e madhe.

“Është arritje e madhe të fitosh 5-1 pa Messin. Kur jemi në vështirësi në kushte normale Leo na ndihmon, por skuadra mori përgjegjësitë e saja edhe pa të”, deklaroi Busquets.

Goli i Marcelos në minutën e 50-të dhe loja e mirë e Real Madridit në fillim të pjesës së dytë nuk e ka shqetësuar 30 vjeçarin që besoi se do të kishin rastet e tyre me kundërsulme, të cilët sollën edhe golat e sigurisë për Barcelonës.

Barcelona është lidere në La Liga me një pikë më shumë se Alaves, ndërsa Real Madridi ndodhet në pozitën e 9-të me 14 pikë ose 7 më pak se katalanasit.