Burri i Vjosa Osmanit dhe Mimoza Kusari para 8 vitesh e kritikonin sulmin ndaj ambasadores amerikane në protestat e LVV-së

Ambasada amerikane në Prishtinë, me 28 qershor të vitit 2013-të, e kishte publikuar një fotografi në profilin në Twitter ku shihej ish-ambasadorja amerikane Tracey Ann Jacobson me krahun e mavijosur.

Ky shkrim, që ende figuron në llogarinë në Twitter që tash mbanë emrin e ambasadorit aktual amerikan në Kosovë, Philip Kosnett kishte marrë reagime të shumta nga fytyrat publike në Kosovë.

Lëndimi i ish-ambasadores amerikane në protestat që ishin organizuar atëherë nga Lëvizja Vetëvendosje kishte marrë reagime edhe nga njerëz që tashmë janë të afërt me partinë e Albin Kurtit.

Shefja e grupit parlamentar të LVV-së, Mimoza Kusari kishte shkruar se i vjen keq për rastin ish-ambasadores amerikane.

Edhe burri i presidentes Vjosa Osmani, Prindon Sadriu kishte shkruar se i vjen keq për atë se çka kishte ndodhur, derisa, kishte përmendur Konventën e Vjenës për marëdhëniet diplomatike.

Pas këtij rasti kishin reaguar edhe Vlora Çitaku, Enver Hoxhaj e Meliza Haradinaj-Stublla.

Ngjarjet e asaj dite sot ua ka kujtuar Lëvizjes Vetëvendosje edhe deputetja e PDK-së, Ganimete Musliu.

Ndërkohë, zyrtarët e Lëvizjes Vetëvendosje e kishin mohuar çdo mundësi që ish-ambasadorja amerikane të ketë pësuar çfarëdo lëndimi nga protestuesit e atëhershëm.

 Nga kjo lëvizje kishin thënë se sigurimi i ambasadores Jackobson dhe organet e rendit janë ata që mbajnë përgjegjësi për lëndimin “e lehtë të ambasadores”.

“Lëndimet që ia bën sigurimi ambasadores, nuk mund t’i bartë Vetëvendosja. Nuk e kuptoj pse ambasadorja është dashur të futet përmes rrugëve anësore, qorre të cilat nuk ekzistojnë. Futja e ambasadores ka qenë e rrethuar me policinë e Kosovës dhe truprojat e saj personale”.

“As edhe një aktivist, e ka pas edhe të pamundur, edhe po të kish tentuar, edhe pse nuk ka tentuar, që ta prekë ambasadoren dhe për këtë ka dëshmi. Nëse kërkohet që Vetëvendosja të distancohet nga lëndimet që i ka shkaktuar sigurimi i saj, kjo është e pakuptimtë, sepse ne nuk kemi pas asnjë qëllim që të lëndojmë dikë”, kishin thënë nga LVV-ja.