Alban Krasniqi

Burri i Albulena Haxhiut e fyen rëndë kryeminsitrin Rama: E quan atë kriminel

Vendimi për rrënimin e Teatrit Kombëtar shqiptar në Tiranë, nga shefi i Qeverisë së Shqipërisë, Edi Rama, nuk është mirëpritur nga aktivistët e Lëvizjes Vetëvendosje, si ata të degës në Shqipëri edhe pjesëtarët e VV’së në Kosovë.

Madje, një nga aktivistët e këtij subjekti politik, Alban Krasniqi, njëherësh edhe bashkëshorti i ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiu, vendosi që të fyej publikisht kryeministrin Rama.

Me anë të një komenti në Facebook, përkatësisht në videon e postuar nga kreu i Qeverisë së Shqipërisë, lidhur me atë se si po e kalon këtë ditë vikendi kryeqyteti shqiptar, Krasniqi e ka quajtur Ramën “kriminel”.

Nga ana tjetër, në protestën e organizuar sot, ku u kundërshtua rrëzimi i objektit të teatrit kombëtar, kreu i Vetëvendosjes me qendër në Shqipëri, Boiken Abazi, është arrestuar, gjë për të cilën VV ka bërë thirrje shtetit që të lirojë menjëherë aktivistët.

“Në përpjekje qytetare për mbrojtjen e ligjshme të Teatrit Kombëtar nga shkatërrimi i paligjshëm, Policia e Shtetit ka ndaluar aktivistët Boiken Abazi dhe Kastriot Qema dhe i ka shoqëruar ata në komisariat”.

“I bëjmë thirrje shtetit shqiptar të ndalojë menjëherë prishjen e mëtejshme ndërtesës së Teatrit dhe të lirojë menjëherë ata dhe aktivistët e qytetarët e tjerë që ka ndaluar orët e mëhershme në mënyrë të paligjshme, ndërsa ushtronin të drejtën kushtetuese të protestës në mbrojtje të Teatrit Kombëtar pjesë e trashëgimisë kulturore kombëtare”, thuhet në njoftimin e LVV’së në Facebook.

Ndërkaq, i pari i Qeverisë shqiptare thotë se teatri kishte nevojë për modernizim, ashtu sikurse janë ndërtuar stadiumi i ri i futbollit dhe shumë ndërtime të tjera të cilat fillimisht ishin kundërshtuar, por që sipas tij, puna e mirë është parë pas ndërtimit.