Bundesliga vendos për rikthimin e tifozëve, nëse lejon qeveria

Bundesliga ka vendosur të lejojë tifozët të rikthehen në stadium që prej shtatorit, por pa praninë e tifozëve kundërshtarë.

Federata e Futbollit në Gjermani ka vendosur të hapë dyert e stadiumeve për tifozët nëse qeveria jep dritën e gjelbër.

Klubet e Bundesligës dhe Bundesligës 2 votuan pro lejimit të tifozëve në stadium duke nisur nga shtatori. Gjithsesi presidenti i Federatës Gjermane të Futbollit, DFL, Kristian Sefert paralajmëron se vendimi është në duart e politikanëve për shkak të krizës nga Covid-19. “Nëse dhe kur tifozët do rikthehen në stadiume nuk është një vendim i DFL por i politikanëve. Prioriteti nuk janë stadiumet plot por shëndeti. Ne nuk duhet të marrim rreziqe të panevojshme por duhet të jemi të kujdesshëm”, deklaroi Sefert.

Federata gjermane ka vendosur edhe disa rregulla për lejimin e tifozëve në stadiume si: jo tifozë kundërshtarë në stadiume deri në fund të 2020, jo alkool në stadiume deri në 31 tetor, si dhe në hyrje të stadiumit do mblidhen mjetet identifikuese të të gjithë tifozëve.