Bulliqi: Mërgimtarët do të lirohen nga të gjitha pagesat, nëse hapin vende pune në Podujevë

Kryetari i Komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi, i ka ftuar mërgimtarët që të investojnë në këtë komunë. Në një takim me mërgimtarë, që është mbajtur në sallën e ish-objektit të administratës, Bulliqi u ka premtuar atyre se do të lirohen nga të gjitha pagesat që lidhen me komunën, nëse vendosin të investojnë në hapjen e vendeve të reja të punës.

Ai ka premtuar se do të hapet zona ekonomike, e cila, sipas tij, do të krijojë disa favore për ata që dëshirojnë të investojnë.

“Mbetet që ju t’i investoni paratë tuaja në biznese. Do të themelojmë qendrën biznesore për konsultim. Po ashtu me rëndësi është edhe zhvillimi i turizmit malor. E kemi zonën e Gollakut siç është pjesa e Orllanit që ka një potencial të madh. Pjesa tjetër që po ashtu e kemi në pjesën e Luginës së epërme të Llapit që është e rëndësishme dhe pika e tretë është kah lumi i Kaqandollit. Kemi resurse ujore të mjaftueshme. Unë besoj që këto do të jenë disa prej potencialeve që deri tash janë shfrytëzuar shumë pak”, ka thënë kryetari i Podujevës. “Unë besoj që shumë prej juve nuk keni dëshirë që t’i lëni fëmijët tuaj shumë gjatë atje. Dhe këto investime tuaja besoj që do të ndikojnë që ata të kthehen. Unë sot zotohem para juve si kryetar se do të jem krah i juaj. Nëse ju veç vendosni që të ktheheni dhe të investoni, unë do të formoj një ekip që do të merret me dokumentacionin tuaj gjithnjë duke i respektuar ligjet, sepse kemi resurse humane”.

Bulliqi ka thënë para të pranishmëve se e kanë një fond për vitin e ardhshëm, të cilin mund ta përdorin për infrastrukturë, siç janë rrugët, uji, kanalizimi.

“Ju keni krijuar një fond tuaj pasuror dhe unë besoj që është koha të sjellim atë fond në vendlindje. Unë do të ndihem i lumtur nëse i rrisim 50 a 100 vende pune. Nuk jemi të interesuar që të investoni në Podujevë e të mos keni profitin tuaj. Ju kam ftuar në këtë takim me ju lut që qysh tash të filloni që të investoni në komunën tuaj. Çdonjëri prej juve që vendosni me investua këtu, do të liroheni prej të gjitha pagesve që lidhen me komunën. Krejt çka keni me pas obligim me hap vende të reja të punës dhe me i punësua të rinjtë”, ka thënë Bulliqi.

Shpejtim Bulliqi ka thënë se nga më shumë se 4 mijë biznese sa janë në Podujevë, 45 për qind janë tregtare.

Në anën tjetër, mërgimtarët i kanë shfaqur shqetësimet për problemet me të cilat ata ballafaqohen kur vijnë në Kosovë.

Afrim Fazliu, që tashmë është kthyer në Podujevë dhe ka investuar në prodhimin e keçapit e majonezit, thotë se WC-ja në kufirin në Merdar nuk funksionon dhe se mërgimtarët kanë vërejtje për këtë. Fazliu e ka pasur edhe një kërkesë ndaj kryetarit Bulliqi që të organizojë një festë për diasporën.

Ndërsa, Faik Haliti i cili është kthyer nga Suedia për të themeluar një kompani për mbledhjen dhe bartjen e mbeturinave është zotuar se do të vendosë shporta të mbeturinave përgjatë rrugës për në Merdar.

Një mërgimtar ka pasur vërejtje për meremetimin dhe asfaltimin e rrugëve që janë bërë në baza partiake. Ai po ashtu ka thënë se edhe ankesat për emërtimin e rrugëve nuk janë shqyrtuar nga askush deri tash.

Shkurije Restrlica që kishte ardhur nga Gjermani ka kërkuar vendosjen e poçeve elektrike në rrugën “Ali Ajeti”.

Një tjetër pjesëmarrës ka kërkuar themelimin e Drejtorisë për Diasporë, këshilla juridike falas dhe ndihmë në kontabilitet në fillim për ata që investojnë këtu.

Bulliqi i ka ndarë tri mirënjohje për tre mërgimtarë që kanë investuar në Podujevë; pronarin e Fabrikës për prodhimin e keçapit dhe majonezit “AMG”, Afrim Fazliun, pronarin e kompanisë “Natyra”, Faik Halitin dhe pronarin e kopanisë “Dardania” që eksporton turshi jashtë Kosovës, Skender Mustafa.