Kandidati për kryetar të Lipjanit, Shukri Buja, thotë se pushteti aktual në këtë komunë ka dështuar të krijojë kushte për investime dhe ka lënë pas dore afaristët, prandaj sipas tij, sot ka pak biznese të reja dhe shumë të rinj pa perspektivë.
“Ne e kemi të qartë zotimin tonë: do ta kthejmë Lipjanin në një mjedis të përshtatshëm dhe të sigurt për çdo biznes të ri, duke hapur vende pune dhe duke sjellë zhvillim ekonomik. Shembull i gjallë i asaj çfarë mund të arrihet është hapja e kuzhinës së re “Te Ibra” në rrugën “Zylfije Gashi”, investim i afaristit të suksesshëm dhe ish-pjesëtarit të UÇK-së, Ibrahim Spahiu”, ka shkruar Buja.
Sipas tij, ky investim tregon qartë se Lipjani ka potencial për rritje, për biznese dhe për vende të reja pune, vetëm nëse institucionet janë pranë afaristëve dhe mbështesin vizionin e tyre.
“Së bashku me Egzonen, kandidaten tonë për Kuvend Komunal, morëm pjesë në këtë hapje, duke treguar se çdo iniciativë e tillë do të ketë përkrahjen tonë të plotë. Kjo është rruga jonë: një Lipjan i zhvilluar, me vende të reja pune, si dhe me perspektivë ekonomike për biznese të reja”, ka shkruar Buja. /Ballkani.info/







