Shukri Buja iu bashkua sot kryetarit të Shtimes, Qemajl Aliu, për të bërë homazhe për nder të 28-vjeotrit të Ditës së Dëshmorëve në Komunën e Shtimes.
Homazhet nisen te shtatorja e komandantit legjendar, Adem Jashari, për të vijuar te kompleksi memorial i dëshmorëve të Reçakut, Mollopolcit dhe Zborcit.
“Në këto ditë të veçanta është e rëndësishme të nderojmë ata që dhanë gjithçka nga jeta e tyre, që ne sot të gëzojmë lirinë dhe të ardhmen tonë” u shpreh Buja.
Ky është postimi i plotë i tij:
Në nderim të 28-vjetorit të Ditës së Dëshmorëve të Komunës së Shtimes, zhvilluam homazhe dhe vendosëm kurora me lule në nderim të atyre që sakrifikuan jetën për lirinë e Kosovës.
Homazhet nisën pranë shtatores së Kryekomandantit Adem Jashari, për të vazhduar në Kompleksin Memorial të Dëshmorëve në Reçak, Mollopolc dhe Zborc. Më pas, homazhet i vazhduam edhe në Kompleksin e Varrezave të Dëshmorëve në Shtime.
Në ditën e rënies së dëshmorit të parë të Shtimes, Ruzhdi Salihu, dhe në Ditën e Dëshmorëve të Komunës së Shtimes, mora pjesë në homazhe, si dhe në përurimin e përfundimit të investimeve në Varrezat e Dëshmorëve në Shtime.
Më vonë u shfaq dokumentari kushtuar Dëshmorit të Kombit, Sadik Mujota – Malsori, ku pata nderin të mbaj fjalën e rastit në akademinë e organizuar me këtë rast dhe të përcjell shfaqjen e dokumentarit kushtuar jetës dhe veprës së tij.
Në këto ditë të veçanta është e rëndësishme të nderojmë ata që dhanë gjithçka nga jeta e tyre, që ne sot të gëzojmë lirinë dhe të ardhmen tonë.
Lavdi të gjithë dëshmorëve të Komunës së Shtimes dhe të gjithë Kosovës!







