Kundër ish skuadrës

Buffon shpreson të shmang përballjen me Juventusin në finalen e Champions League

Një finale Paris Saint Germain-Juventus do të ishte makthi më i madh për Gianluigi Buffon.

Buffon u largua nga Juventusi drejt PSG-së në korrik të këtij viti duke i dhënë fund kohës 17 vjeçare të kaluar te “Zonja e Vjetër”, gjatë të cilës fitoi 9 Scudetto.

Shumë ekspertë e shohin Juventusin kandidat kryesor për t’i shkuar deri në fund garës për triumfin në Champions League, kurse edhe PSG është një prej favoritëve, teksa nuk përjashtohet mundësia e një përballjeje direkte në finale, të cilës i frikësohet gardiani i PSG-së.

“Nuk dua të përballem me Juventusin në finale. Nuk dua që gëzimi im të bëhet shkaktar për hidhërimin e ish bashkëlojtarëve dhe tifozëve të mi. Tashmë kemi qajtur shumë herë së bashku, meritoj një gëzim të plotë. Do të ishte më mirë të takohesha me Juventusin para finales”, tha Buffon.

PSG rikthehet në Champions League mesjavën e ardhshme kur të takohet me Napolin në “San Paolo” për xhiron e tretë të fazës së grupeve.