Buffon i bindur se Cavani nuk do të largohet nga PSG-ja në janar

Spekulimet për një rikthim të Edinson Cavanit te Napoli sa vijnë e shtohen, por bashkëlojtari i tij te Paris Saint Germain, Gianluigi Buffon nuk pret që uruguaiani të largohet nga “Parc des Princes”.

Cavani kaloi tre sezone te Napoli gjatë viteve 2010-2013, me sulmuesin që ishte në formën më të mirë të tij në “San Paolo”.

31 vjeçari pati probleme në adaptimin te klubi francez në sezonet e para por në dy stinoret e fundit ka qenë vendimtar duke realizuar nga 35 respektivisht 28 gola.

“El Matador” ka shënuar 9 gola këtë edicion por pavarësisht formës së mirë është raportuar se mund të largohet nga kryeqyteti francez edhe pas problemeve me Neymarin, derisa Napoli e ka ruajtur gjithmonë interesimin për Cavanin.

Por gardiani i parisienëve, Gianluigi Buffon dyshon se ky transferim mund të ndodhë në janar.

“Shpesh flasim me të për Italinë. Cavani është shumë i afërt me Napolin edhe për shkak të dashurisë që i kanë dhuruar napolitanët. Ai nuk është imun ndaj interesimit të tyre, por besoj se për momentin ai ka mundësi më të mëdha ta fitojë Champions Leaguen me PSG-në. Jo se te Napoli nuk do të kishte gjasa por mendoj se ai preferon të qëndrojë me ne deri në qershor”, theksoi Buffon.