Armando Broja

Broja mund të përfundojë në një klub tjetër të Premierligës

Armando Broja pritet të largohet nga Chelsea në afatin kalimtar të janarit.

Sulmuesi shqiptar nuk ka arritur ta bind trajnerin Mauricio Pochettino, i cili është duke e kërkuar një sulmues tjetër për pjesën e dytë të sezonit.

Dhe, mediat britanike raportojnë se përfaqësuesi shqiptar i ka bërë valixhet gati dhe në dy javët në vazhdim do ta gjejë ekipin e ri.

Interesim për ish-futbollistin e Southamptonit ka shfaqur Wolverhamptoni, shkruan “Gazeta Express”.

Broja ishte titullar në fitoren e “Blues” ndaj Fulhamit në fundjavën që shkoi, por bëri paraqitje të zbehtë dhe u zëvendësua në minutën e 66-të.

Ai nuk ishte i aftë t’i tregonte vlerat e tij pas rikthimit nga lëndimi i gjurit, i pësuar vitin e kaluar.

Pasi shënoi në fitoren e londinezëve ndaj Preston në FA Cup këtë muaj, ai përfundoi në bankinë në humbjen 0:1 nga Middlesbrough në ndeshjen e parë gjysmëfinale të Carabao Cup.

Broja ka kontratë me “Të Kaltrit” deri në vitin 2028, por largimi i tij në këtë muaj duket të jetë i pashmangshëm.

Përpos Wolverhamptonit, interesim për lojtarin ka shfaqur edhe West Ham United.

Broja i ka shënuar dy gola në 17 ndeshje me Chelsean në këtë edicion.

Në Itali, atë e pëlqejnë disa klube, përfshirë këtu Napolin dhe Milanin.

Broja është produkt i akademisë së Chelseat.