Qytetari Burim Sopa është shprehur sot i lënduar dhe i zhgënjyer pasi The British School of Kosova, refuzoi të regjistrojë vajzën e tij, Nisen, siç thotë ai vetëm se ajo ka Sindromën Doën.
Në një postim në Facebook, ai ka shprehur dhimbjen dhe shqetësimin që, edhe në vitin 2025, fëmijët me aftësi të kufizuara përjashtohen nga e drejta për arsim dhe përfshirje të barabartë.
Pas kësaj, The British School of Kosova ka pohuar se me të dëgjuar ankesën e kanë thirrur Sopën në takim, sipas këtij institucioni arsimor, thuhet se personi në fjalë asnjëherë nuk ka aplikuar.
“Në lidhje me një ankesë të publikuar në rrjetet sociale nga një prind i cili ka pretenduar se fëmija i tij nuk është pranuar në shkollë për shkak të gjendjes se veçantë, dëshirojmë të informojmë opinionin publik se: Shkolla po sa është njoftuar me këtë ankesë, e ka ftuar prindin në takim me drejtuesit e shkollës për të sqaruar ankesën dhe shqetësimin e tij”.
“Administrata e shkollës ka kontrolluar të gjitha aplikacionet për regjistrim dhe është konstatuar se personi në fjalë nuk ka aplikuar asnjëherë për regjistrimin e fëmijës së tij në shkollë, as fizikisht e as online”, thuhet në njoftim.
Ndër tjera, The British School of Kosova shton se është një ndër shkollat me përfshirjen më të madhe të nxënësve me nevoja të veçanta.







