Brazili i kundërpërgjigjet kritikave me pesë gola ndaj Perusë (VIDEO)

Brazili ka fituar bindshëm me rezultatin 5-0 ndeshjen e fundit të fazës së grupeve ndaj Perusë.

Të besuarit e Tite-s u janë kundërpërgjigjur kritikave të shumta të popullit brazilian pas dy ndeshjeve të para nën nivelin e kërkuar.

Gjatë sfidës me Venezuelën, brazilianët nuk kanë arritur të marrin më tepër se një pikë pas barazimit pa gola dhe kritikat e tifozëve dhe medies vendase ishin të mëdha.

Megjithatë, të gjithë duhet të jenë të kënaqur me paraqitjen e fundit ndaj Perusë, që i ka siguruar edhe vendin e parë të grupit A.

Ishte Casemiro ai që zhbllokoi rezultatin në minutën e 12’ përpara se Firmino të dyfishonte rezultatin shtatë minuta më vonë.

Goli i Everton pas 32 minutave lojë i vuri kapakun sfidës që në pjesën e parë. Pas pushimit, Dani Alves shënoi golin e katërt ndërsa Willian pesëfishoi në fund të takimit me një gol fantastik me të majtën.

Pas tij, Gabriel Jesus mund të kishte shënuar edhe golin e gjashtë, por u tregua i pasaktë nga pika e bardhë e penalltisë.

Ndërkohë Venezuela ka mposhtur me rezultatin 3-1 Bolivinë duke marrë vendin e dytë në renditje.