Braktisi ndeshjen me Kosovën, Tumbakoviç drejt stolit të Serbisë

Serbia ka shkarkuar nga puna trajnerin e kombëtares, Mladen Krstajic, për shkak të rezultateve të dobëta.

Humbja 5-0 në Ukrainë nuk u “përtyp” nga drejtuesit e federatës serbe, që shkarkuan teknikun edhe pse 3 ditë më vonë fituan 4-1 ndaj Lituanisë.

Drejtuesit e federatës Serbe të Futbollit kanë bërë me dije se do të emërojnë trajnerin e ri brenda datës 10 korrik, ndërsa mediat në Serbi kanë një emër si favorit.

Bëhet fjalë për ish trajnerin e Malit të zi, Ljubica Tumbakoviç, i cili u shkarkua pasi braktisi ndeshjen mes malazezëve dhe Kosovës, për shkak të presionit nga tifozët serbë.

Tumbakoviç refuzoi të drejtonte skuadrën në fushë më 7 qershor, ndërsa bashkë me të, braktisën ndeshjen edhe ndihmës trajneri dhe dy mbrojtës me origjinë serbe, duke shkaktuar kaos te Mali i Zi, vetëm dy orë para ndeshjes me Kosovën.